“Silenciatori”/Me armë dhe drogë, policia ndjek me shpejtësi “Renault-n”, arreston dy të rinj, i treti ikën në errësirë. Dyshime për…

  • 28 April 2019 - 10:57
“Silenciatori”/Me armë dhe drogë, policia ndjek me shpejtësi “Renault-n”, arreston dy të rinj, i treti ikën në errësirë. Dyshime për…

Një ndjekje me shpejtësi e një mjeti tip “Renault” nga policia e Fierit ka përfunduar me arrestimin e dy të rinjve, ndërsa një i tretë ka mundur të arratiset, por është identifikuar dhe shpallur në kërkim.

Të rinjtë u arrestuan me armë pistoletë silenciator dhe 41 doza lëndë narkotike kanabis sativa.

Policia lokale sqaron se është parandaluar një ngjarje e mundshme kriminale. Sipas deklaratës, gjatë patrullimit  në orët e para të mëngjesit, në dalje të qytetit, patrulla  ka konstatuar një automjet “Renault” që kryente lëvizje të dyshimta dhe porsa ka parë makinën e policisë është larguar me shpejtësi.

“Patrulla e Përgjithshme është vënë në ndjekje të automjetit si dhe ka kërkuar ndihmën e shërbimeve të tjera, ku menjëherë në ndihmë të tyre janë nisur forca të tjera policore të DVP Fier. Gjatë ndjekjes njëri prej pasagjerëve ka mundur të largohet duke përfituar nga errësira ndërsa drejtuesi i mjetit dhe një pasagjer tjetër janë kapur në flagrancë”, sqaron policia.

Gjatë kontrollit në automjet policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë me silenciator së bashku me karikator me fishekë, si dhe një dozë me lëndë narkotike cannabis sativa.

Forcat e rendit kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:

F.K, 22 vjeç, banues në Durrës, drejtuesi i mjetit, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

K.Gj, 22 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mos kallëzim krimi”

Si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit A.P, 29 vjeç, banues në Durrës, me precedent kriminal të mëparshëm në fushën e  krimeve ndaj pronës.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A.P, Policia e Fierit në bashkëpunim me Policinë e Durrësit kanë gjetur 40 doza me lëndë narkotike Cannabis Sativa.

Policia po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe qëllimit të lëvizjen së këtyre personave të armatosur nga Durrësi në Fier.

Gjithashtu vijon puna për kapjen e personit të shpallur në kërkim, si dhe për identifikimin dhe kapjen edhe të personave të tjetër që mund të jenë të përfshirë në veprimtari të mundshme kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme.

(Kosova Sot)