Politikanët i mbajnë në “xhep të vogël” prokurorët dhe gjyqtarët

  • 29 April 2019 - 08:21
Politikanët i mbajnë në “xhep të vogël” prokurorët dhe gjyqtarët

Gjini: Vetting për të pasur funksionalitet në shtetin tonë

“Hedhja e fajit në rrotacion, ose lënia e fajit ligjeve është vetëm blerje kohe dhe ikje nga përgjegjësia. Dhe, sot për sot, me këta politikanë të korruptuar dhe mafiozë modernë është e pamundur të punojë ndershëm një prokuror, një gjyqtar, një polic, një agjent i inteligjencës. Po qe se nuk u takojnë apo nuk janë kukulla të Grabovcëve e shefave të tyre nga lart, as nuk vjen mundësia të pranohesh në një vend pune me përgjegjësi ekzekutive ligjore, ose po e ngacmove mafinë politike të pret fati i Elez Blakajt”, thotë për “Kosova Sot” analisti Naim Miftari

Analistët alarmojnë se është bërë pothuajse MISION I PAMUNDUR lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë, sidomos pasi që pushtetarët e nivelit të lartë që janë të lidhur me mafio-oligarkët dhe nëntokën kriminale kanë instaluar një kastë të prokurorëve dhe gjyqtarëve të vetënënshtruar, e që sipas analistëve u japin llogari e përgjegjësi vetëm oligarkëve të politikës, sikur edhe ndaj mafio-oligarkëve, dhe jo ligjit e Kushtetutës së vendit ku janë “betuar” në emër të popullit, por para “Sulltanit president”. Sipas tyre, figura të larta në gjyqësorin kosovar kanë deklaruar gjithmonë në fund të mandatit se ka paaftësi profesionale e jo kompetencë te policia, prokuroria, si dhe te gjykatat. Analistët thonë se qëllimi i pushtetarëve të inkriminuar është që sistemin e drejtësisë e kanë në xhep të vogël, që të kemi vetëm prokurorë, gjyqtarë dhe policë servilë, të shantazhuar, pasi që vetëm me të tillët do të vazhdojnë ta mbajnë të kapur tërë sistemin e drejtësisë tërësisht të degraduar dhe pa asnjë vlerë.

Image
Naim Miftari

 Miftari: Kontrolluesit e sundimit të ligjit janë shndërruar në penguesit kryesorë të tij

Analisti Naim Miftari është shprehur për gazetën “Kosova Sot” se sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar janë bërë mision i pamundur, për arsye se vetë krimi i organizuar i ka futur në grusht politikën, pushtetin dhe organet e shtetit, sidomos ato organe që janë të sundimit të ligjit. “Edhe vetë këshillat dhe organet që kontrollojnë sundimin e ligjit janë shndërruar në penguesit kryesorë të sundimit të drejtësisë dhe ligjit në Kosovë.

Dhe, kur prokurorët, policët, AKI-ja dhe gjyqtarët shumica janë kukulla të dikujt nga lart dhe u japin sot llogari sulltanëve të tyre e shefave të shefave politikë dhe oligarkëve të pushtetit, normalisht që drejtësia dhe sundimi i ligjit dështojnë dhe mbesin vetëm dëshira”, është shprehur ai. Sipas tij, shpeshherë fajet i ka gjyqësia e ua hedh policisë, inteligjencës, kurse këta ia hedhin prokurorisë, e këta ia hedhin gjyqësisë, duke luajtur pingpong me dështimin e tyre. “Hedhja e fajit në rrotacion, ose lënia e fajit ligjeve është vetëm blerje kohe dhe ikje nga përgjegjësia individuale e këtyre institucioneve. Dhe, sot për sot me këta politikanë të korruptuar dhe mafiozë modernë është e pamundur të punojë ndershëm një prokuror, një gjyqtar, një polic, një agjent i inteligjencës. Poqë nuk u takojnë apo nuk janë kukulla të grabovcëve, e shefave të tyre nga lart as nuk vjen mundësia të pranohesh në një vend pune me përgjegjësi ekzekutive ligjore dhe nëse vjen rastësisht në një pozicion të tillë po e ngacmove mafinë politike dhe politikanët e korruptuar ju pret fati sikur i Elez Blakajt, prokurorit special ose edhe më keq, mundesh edhe të jesh viktimë, domethënë të vritesh”, është shprehur analisti Naim Miftari.

Lotët e krokodilit nga pushtetarët

Sipas avokatit Gent Gjini, është fyerje, si për inteligjencën e qytetarëve dhe të popullit se kinse bartësit e institucioneve e kanë bërë traditë tani që të vajtojnë me “lot krokodili” nga momenti kur ata nuk janë më në krye të posteve, që është dashur të pritet nga ta për më shumë reformë dhe luftim të korrupsionit, dhe si rrjedhojë me këtë ata tani të na tregojnë se duhet bërë më shumë apo të luftohet korrupsioni. “Konsideroj se këta me veprimet e tyre përveç tjerash tregojnë edhe injorancën dhe mundohen ta reduktojnë përgjegjësinë tek dikush tjetër, e kjo dukuri fatkeqësisht vetëm në shoqërinë tonë është prezent. Pra, mendoj se edhe kjo është tjetër anë e medaljes që tregon domosdoshmërinë, që duhet të kemi Vetting-un dhe të kërkohet përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënie, e jo vetëm që ata të qëndrojnë në krye të institucioneve dhe të marrin pagat dhe benefitet të tjera shtetërore dhe në fund si rezultate kemi rritjen e prezencës së dukurisë së korrupsionit, punësimeve familjare, mungesës së profesionalizmit”, është shprehur Gjini për “Kosova Sot”.

Image
Gent Gjini

Duhet të kemi Vetting-un dhe të kërkohet përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënie

Gjini ka pyetur se pse në krye të institucioneve relevante përzgjidhet kjo kategori dhe kush e bën përzgjedhjen e tyre, përkatësisht me çfarë parakushtesh dhe kriteresh përzgjidhen.

“A duhet dikush t’i auditojë veprimet e tyre për mungesë të sukseseve dhe më në fund edhe përgjegjësia të jetë edhe vetë te institucionit që e kanë bërë përzgjedhjen. Pra, janë këto elemente që determinojnë reformën, përkatësisht Vetting-un për të pasur funksionalitet në shtetin tonë. “Duhet të kemi Vetting-un dhe të kërkohet përgjegjësi, transparencë dhe llogaridhënie, e jo vetëm që ata të qëndrojnë në krye të institucioneve dhe të marrin pagat dhe benefitet të tjera shtetërore dhe në fund si rezultate kemi rritjen e prezencës së dukurisë së korrupsionit, punësimeve familjare, mungesës së profesionalizmit”, është shprehur avokati Gjini për “Kosova Sot”

(Kosova Sot)