Hashim Thaçi dhe Baton Haxhiu i shpallin ‘luftë’ Gjermanisë

  • 29 April 2019 - 08:33
Hashim Thaçi dhe Baton Haxhiu i shpallin ‘luftë’ Gjermanisë

Aliu: Thaçi hapur po e lufton Gjermaninë dhe kancelaren Merkel, vetëm pse kategorikisht është kundër prekjes së kufijve dhe ndarjes së Kosovës

“ Gospodin Batoni është i dëshpëruar, sepse shefat e tij në Tiranë, në Beograd e në Prishtinë nuk po kanë më shans të ‘marrin çmimin Nobel për Paqe’ dhe ai vetë nuk po ka më shans të shenjtërohet nga Patrikana serbe për shërbimet që ai ia bën Serbisë. Shkatërrimin e shtetësisë dhe tërësisë territoriale të Kosovës ata e shohin si mundësi për honorarë të tillë! Ndaj janë të dëshpëruar dhe armiqësuar me Gjermaninë, kancelaren Merkel dhe Samitin e Berlinit!”, thotë për “Kosova Sot” profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi

Sot do të mbahet Samiti i Berlinit i thirrur nga kancelaria gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emanuel Makron, ku do të mblidhen liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në prag të këtij Samiti, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka sulmuar aleatin kryesor të Kosovës pas SHBA-së, Gjermaninë, e cila po e mbron territorin e Kosovës nga copëtimi i saj. Sipas Thaçit, nga Berlini nuk duhet të pritet mrekulli.

Po ashtu, edhe pioni i Thaçit, siç e quajnë analistët, Baton Haxhiun, i cili ka shokuar me deklaratën se, Gjermania nuk e ka përkrahur asnjëherë pavarësinë e Kosovës dhe as bombardimet e NATO-s në Serbi. Analistët thonë se arsyeja e sulmeve të Thaçit dhe Haxhiut lidhet me atë se Gjermania është pengesa kryesore për realizmin e projektit për copëtimin e Kosovës në llogari të Serbisë edhe sot fashiste. Ata kërkojnë shpalljen person non grata të Baton Haxhiut.

Image
Haki Abazi

Abazi: Thaçi po kërkon marrëveshje me Serbinë në këmbim të amnistisë nga Gjykata Speciale

Analisti politik Haki Abazi, për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se Thaçi po kërkon marrëveshje me Serbinë në këmbim të amnistisë nga Gjykata Speciale.

“Është më se e qartë se Thaçi ka negociuar një marrëveshje me Vuçiqin që ka pjesë integrale një tregtim. Marrëveshja që parasheh normalizimin ka të bëjë në fakt me amnistinë e Thaçit nga Gjykata Speciale që Serbia do ta kërkonte përderisa Thaçi në kundër vlerë do t’i jepte veriun e Kosovës dhe do të amnistonte të gjithë kriminelët serbë që kanë kryer krime në Kosovë gjatë luftës. Kjo tanimë nuk mund të realizohet, sepse gjermanët, por edhe amerikanët e francezët, kanë kuptuar mirë lojën e nëntokës së Ballkanit që është e interesuar të fillojë ndarjen e Kosovës dhe të Bosnjës, që është realizimi i idesë së Milosheviqit. Me rënien e kësaj skeme të Thaçit dhe Vuçiqit, u hiqet edhe torta nga goja shumë rrjeteve ekonomike e kriminale në rajon dhe mendoj që sufleri i Thaçit është i trishtuar po aq sa Thaçi dhe Vuçiqi për fatin e tij në një rajon ballkanik, evropian.

Fyerjet për Gjermaninë janë tipike të një njeriu gënjeshtar dhe të pafytyrë. Është një turp i madh të flitet për Gjermaninë dhe sidomos për kontributin e madh të Wolfgang Ischeinger-it në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ndihmën e madhe ushtarake e ekonomike që Gjermania ka dhënë gjatë dhe pas luftës dhe sidomos për rolin e Gjermanisë në operimin e qeverisë në ekzil dhe përkrahjen e diasporës kosovare”, ka deklaruar Abazi për “Kosova Sot”.

Image
Bislim Aliu

 Aliu: Baton Haxhiu të shpallet person non grata

“Pa dyshim, presidenti ynë Hashim Thaçi, me deklaratat e tij, nuk po e luan rolin e vet si president i Kosovës. Dhe, në vend që të jetë mirënjohës dhe falënderues Gjermanisë, ai po e sulmon aleatin kryesor të Kosovës pas SHBA-së, e cila me këmbëngulje po e mbron tërësinë territoriale të Kosovës nga copëtimi i saj?! Gjithsesi, ky është skandal dhe patjetër duhet të shpallet person non grata Baton Haxhiu, spiun i përbetuar i Thaçit, i cili mbrëmë, deklaroi se Gjermania nuk e ka përkrahur asnjëherë pavarësinë e Kosovës dhe as bombardimet e NATO-s në Serbi?! Thaçi hapur po e lufton Gjermaninë dhe kancelaren Merkel, vetëm pse kategorikisht është kundër prekjes së kufijve dhe ndarjes së Kosovës!

Ai këtë po e bën vetë, por edhe përmes tellallit të tij, Baton Haxhiut. Thaçi po e sheh Gjermaninë, si pengesën kryesore, për realizimin e idesë së tij, për copëtimin e territorit të Kosovës, në llogari të Serbisë kriminale e gjenocidale, por edhe për t'i shpëtuar Gjykatës Speciale?!”, ka thënë Bislim Aliu për “Kosova Sot”.

Image
Shefik Shkodra

Ndarja e Kosovës, qëllimi kryesor i Thaçit

“Gjermania është superfuqi në Evropë. Qeveria e këtij vendi mund të vendosë për lëvizjet në Regjionin Perëndimor të Ballkanit. Thaçi dhe të tjerët, që kanë pasur dhe kanë për qëllim ndarjen e tokave shqiptare të Kosovës me Serbinë, mund të jenë kundërshtarët e Gjermanisë dhe të gjithë të tjerëve. Kanë mundur të jenë biseduar në katër sy këto punë, por nuk do të realizohen me vullnetin e qytetarëve të Kosovës. Me vullnetin e atyre që kanë dhënë jetë për këtë vend.

Baton Haxhiu është një paradoks i kohës në politikën shqiptare. Ai e meriton një 'mbyllje goje' dhe mospërzierje në punët që diktojnë tradhtinë ndaj atdheut”, ka deklaruar analisti politik, Shefik Shkodra.

Image
Ali Hertica

Hertica akuzon Baton Haxhiun: Pion i Stanishiqit, i paguar nga Rusia

Ndërsa, analisti Ali Hertica, Baton Haxhiun e quan pion të Stanishiqit e të pagur nga Rusia.

“Sulmet e ish- spiunit të Stanishiqit, Baton Haxhiu, që hedh vrerë kundër Gjermanisë, duke aluduar se Gjermania ishte kundër bombardimeve të NATO-s në Kosovë, është diçka që duhet të dënohet publikisht dhe të jetë person non grata e një servil i Hashim Thaçit. Dihet botërisht se politika gjermane për shqiptarët është miqësore që Kosovës në çdo kohë Gjermania ishte dhe mbetet aleati më i besueshëm në Evropë, por këto akuza nga spiuni i Stanishiqit janë të paguara nga Rusia dhe shumë akuza të tjera, si këto nga një servil nuk do prishin kurrë miqësinë e kamotshme me miqtë ndërkombëtarë dhe ato botërorë. Edhe pse do ketë edhe goditje për dy palët në këtë Samit, besoj se Thaçi do të mbetet më i godituri në këtë Samit”, ka thënë analisti, Ali Hertica.

Image
Faik Krasniqi

Goditje e rëndë për Thaçin dhe Haxhiun: Korrierit të UDB-së iu prishën planet

“Kur dihet se kancelarja Angel Merkel është kundërshtarja më e fuqishme e lëvizjes së kufijve, në Samitin e Berlinit, që pritet të mbahet me 29 prill, do të varroset njëherë e përgjithmonë ideja e Thaçit, Vuçiqit dhe Ramës për shkëmbim territoresh. Sulmet e Thaçit dhe Baton Haxhiut drejt Gjermanisë vijnë për këtë arsye, sepse ideja e tyre për ndarje të Kosovës nuk do të zbatohet edhe në praktikë. Baton Haxhiu shkoi aq larg sa sulmoi ashpër Gjermaninë. Kush është Baton Haxhiu ta sulmojë një shtet mik të Kosovës si Gjermania, e cila pas SHBA-së ishte kyçe për çlirimin e Kosovës. Mjafton t'i kujtojmë Tornadot gjermane që sulmuan pandërprerë Serbinë. Por, korrierit të UDB-së, Baton Haxhiut iu prishën planet për copëtimin e Kosovës, sepse Gjermania u bë pengesë”, tha Faik Krasniqi për “Kosova Sot”.

Image
Enver Bytyci

Bytyçi: Pse je i dëshpëruar me Gjermaninë, gospodin Baton Haxhiu?

“Para dy ditësh eksponenti gjitholog Baton Haxhiu ka sulmuar dhe ka hedhur vrerë kundër Gjermanisë. Në një intervistë, ai ka thënë se Gjermania ishte kundër bombardimeve të NATO-s në Kosovë, se politika gjermane për shqiptarët është e dëmshme e shumë akuza të tjera si këto.

Në gjithë intervistën e tij gospodin Baton Haxhiu dukej tejet i dëshpëruar për atë pse Berlini mbështet kryeministrin Haradinaj për taksën që ia ka vënë Serbisë dhe pse Merkeli nuk po mbështet Batonin, Hashimin dhe Edvinin për shkëmbimin e territoreve dhe ndarjen e Kosovës?! Njëjtë si Batoni është shfaqur në dëshpërim të madh edhe presidenti i Kosovës, ndërsa naltgjatësia i Tiranës nuk ka pasur kohë të merret me Samitin e Berlinit, megjithëse sot ai duhet të udhëtojë për atje.

Çfarë i bën këta shqiptaro-serbofilë të jenë të dëshpëruar me Berlinin dhe Samitin e sotëm që mbahet atje? As më shumë, as më pak, vetëm dështimi në përpjekjet e jashtëzakonshme që ata kanë bërë për ta tjetërsuar e për ta zvogëluar territorin e Kosovës! Duhet që ekspertët më në zë në botë të merren me këtë rast unik, për ta shpjeguar se si ka mundësi që presidenti i një vendi, mentori i tij dhe kryeministri i një shteti vëlla me Kosovën të zemërohen, të dëshpërohen, të thartohen aq shumë kundër një shteti, një vendi e një kancelare, e cila del në mbrojtje Kosovës dhe territoreve të saj?! Është rast unik në historinë e botës.

Nesër në Berlin do të jenë katër presidentë dhe kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë katër vendeve anëtare të BE-së, Gjermanisë, Francës, Sllovenisë dhe Kroacisë. Në tavolinën e bisedimeve do të vihen përballë dy palë: Shumica kundër idesë së Beogradit e Moskës për ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e kufijve të saj me Serbinë dhe një pjesë e vogël, përkatësisht Hashim Thaçi, Aleksandër Vuçiq, Edi Rama dhe Bërnabiq me idenë serbo-ruse të ndarjes së saj. Por më i dëshpëruar e më agresori ndër ta do të jetë Hashimi, sepse atij i del edhe në ëndërr Batoni tek ia përcjell kërcënimet e Vuçiqit me dosjen e të ashtuquajturave krimeve të tij në Kosovë.

Ndërsa sa i përket qëndrimit gjerman për Kosovën, bombardimet e NATO-s dhe luftën, dua t'i them gospodin Baton Haxhiut se politika shtetërore e Gjermanisë ka qenë par exelancë. Ishin presidenti Bush Senjor dhe Helmut Kohl ata që projektuan idenë e pavarësisë së Kosovës. Ishte ministri i Mbrojtjes Rudolph Scharping, i pari politikan evropian që krimet e Milosheviqit në Kosovë i krahasoi me krimet e Hitlerit. Ishte Gerhard Schroeder si kancelar që urdhëroi për herë të parë në historinë e pas Luftës së Dytë Botërore ushtrinë gjermane të angazhohet jashtë vendit të vet në sulmet ajrore kundër Serbisë. Ishte Bundestagu gjerman që ndryshoi kushtetutën e vendit për t'i hapur rrugë angazhimit të ushtrisë gjermane për çlirimin e Kosovës. Ishin trupat e KFOR-it gjerman që kanë shkëlqyer në misionin e tyre në Kosovë. Ishte ministri i Jashtëm, Joschka Fischer, ai që "balsamosi" Lamberto Dinin në prill 1999, kur kërkonte pushimin e bombardimeve me rastin e pashkëve. Ishte po Fischer ai që sfidoi partinë e tij kur e gjuajtën me domate e vezë, duke deklaruar para saj se nuk do të lejonte një Holokaust në mes të Evropës në fund të shekullit XX! Fischer kishte pranuar në janar 1999 nga ministrja e Jashtme e Bullgarisë projektin e miqve të Batonit, përfshirë Stanishiqin, për dëbimin dhe asgjësimin e shqiptarëve në Kosovë.

E, ndërkohë ishte radioja gjermane DW që përmes Beogradit përhapi lajmin e rremë se "Baton Haxhiu ishte masakruar" nga forcat serbe në Prishtinë, ndërkohë që gospodin Batonin këto forca po e përcillnin me nderime e respekt të veçantë drejt Bllacës. Alibia e vrasjes së Batonit ishte alibia e heroizimit të tij, me qëllim që ai të bëhej i besueshëm te shqiptarët për të realizuar misione të tilla si ky për ndarjen e Kosovës! Investimi i Beogradit te Batoni fillon nga Stanishiqi i Brezovicës, vazhdon me heroizimin e tij, më pas me monopolet e tregtisë me Serbinë, madje me ekskluzivitet edhe në Shqipërinë e Edi Ramës dhe mbyllet me angazhimin vetëmohues të tij bashkë me Hashimin e Edvinin për shkatërrimin e shtetit e të tërësisë territoriale të Kosovës!

Në këtë kuptim dëshpërimi i gospodin Batonit është i justifikuar. Ai mendon se më shumë vlen pasuria, emri e lavdia e tij, si dhe e Hashimit dhe Edi Ramës, sesa territori i Kosovës, shteti i Kosovës, gjaku i dëshmorëve që ranë për çlirimin e saj dhe investimi i SHBA-së, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe vendeve të NATO-s për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës! Gospodin Batoni është i dëshpëruar, sepse shefat e tij në Tiranë, në Beograd e në Prishtinë nuk po kanë më shans të ‘marrin çmimin Nobel për Paqe’ dhe ai vetë nuk po ka më shans të shenjtërohet nga Patrikana serbe për shërbimet që ai ia bën Serbisë. Shkatërrimin e shtetësisë dhe tërësisë territoriale të Kosovës ata e shohin si mundësi për honorarë të tillë! Ndaj janë të dëshpëruar dhe armiqësuar me Gjermaninë, kancelaren Merkel dhe Samitin e Berlinit!”, shkruan profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

(Kosova Sot)