Paralajmëron analisti nga SHBA: Thaçi në panik dhe i frikësuar

  • 29 April 2019 - 13:48
Paralajmëron analisti nga SHBA: Thaçi në panik dhe i frikësuar

Ditën e premte dështoi raportimi i Thaçit për deportimin e kundërligjshëm të shtetasve turq nga Kosova, e kjo, sipas analistëve, ishte një maskaradë shfaqja e së premtes e Thaçit para Komisionit parlamentar të Kuvendit.

Analisti që jeton dhe vepron në SHBA, Ramiz Bojaj, ka hedhur akuza të rënda ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. 

"Skandali i autoriteteve kosovare rreth dëbimit të jashtëligjshëm të 6 gylenistëve turq nga shteti ynë shpërfaqi hapur zinxhirin kriminal të një pushteti autoritar e të papërgjegjshëm. Kjo u pa fare hapur të premten e shkuar kur presidenti Thaçi u prezantua para Komisionit hetimor për rastin e dëbimit të qytetarëve turq, por nuk iu përgjigj pyetjes rreth rolit të tij në këtë maskarallëk.

Image
Ramiz Bojaj

Presidenti Thaçi edhe pse ishte live, në mënyrë arrogante e vulgare iu 'bishtnoi' pyetjes rreth përgjegjësisë së tij në këtë rast, i cili, edhe pse i ftuar si dëshmitar i ngjarjes, ky u kthye në gjykatës, prokuror, shpifës, shantazhues, turbullues... duke treguar stilin real të tij, figurën e një njeriu sa të rrezikshëm aq edhe narcist me tendenca sadiste e diktatoriale. I ftuar për t'u përgjigjur me pak fjalë për rolin e tij për shkeljet ligjore e procedurale për dëbimin e shtetasve të huaj nga vendi ynë, presidenti Hashim Thaçi, pa kurrfarë mbulese, pa fije përgjegjësie e turpi, jo vetëm qe nuk dha asnjë përgjigje, por filloi manovrat e tij shikiste, duke u tallur me deputetët e Kuvendit të Kosovës, me komisionin hetimor, me ligjin dhe me sigurinë tonë kombëtare e shtetërore”, ka thënë Bojaj.

Sipas tij, në vend që të sqarohej me pak fjalë, presidenti krijoi turbulli e amulli, krijoi akte akuzuese duke kontestuar ekspertin ndërkombëtar, për të cilin ishin pajtuar të gjitha anëtarët e komisionit. 

“Kontestimi i ekspertit ndërkombëtar ishte shpifje rasti i presidentit, sa për t'i ikur përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Kjo për faktin se përzgjedhja e ekspertit është kompetencë e komisionit hetimor e jo kompetencë e rezervuar e presidentit. Gjithashtu, përzgjedhja e ekspertit Tienmu Ma, nga Shtetet e Bashkuara, (i cili për disa vjet ka punuar në Institucionin e Avokatit të Popullit), kishte ndodhur në mënyrë të ligjshme, i pranuar dhe i votuar nga të gjithë anëtarët e komisionit hetues. Pra, edhe nga servilët e egër të tij. Presidenti Thaçi në panik dhe i frikësuar nga e vërteta për rolin e tij në këtë skandal, ku u cenua siguria kombëtare e shtetërore e Kosovës, ndërroi kahun e rastit, krijoi mjegull, fyerje e akuza primitive në mënyrë që të ikë nga përgjigja reale. Duke filluar me akuza-shpifje të rënda për deputetët, i ndihmuar edhe nga servilët e tij, i pari i vendit hyri në temat e luftës të para 20 vjetëve, për çka nuk ishte i thirrur të japë përgjegjësi për rolin e tij në UÇK, por për dëbimin e 'gylenistëve'. Me stilin e vet primitiv, arrogant e autoritar, i pari i vendit dëshmoi se është njeriu më i rrezikshëm në Kosovë, është mbi ligjin, Kushtetutën, integritetin territorial, mbi sigurinë..., i cili duke u tallur me popullin dhe më gjithë segmentet e shtetit, në çdo vend e në çdo kohë, mund të rrezikojë sigurinë qytetare, sovranitetin e integritetin shtetëror të Republikës së Kosovës”. 

“Ky njeri ishte aty për t'iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve e jo t'i marrë këta në pyetje, duke i fyer e shantazhuar. Një përgjigje që mund të përfundonte me pak fjalë, për rreth dy tre minutash, Thaçi krijoi amulli, zhurmë e debat koti, si të ishte fëmijë i lazdruar, duke harruar se është i pari i shtetit. Presidenti Thaçi, në këtë rast, nuk u prezantua si një burrështetas, por si një politikan i ndërtuar dhe rritur në oborrin e SHIKut, i strukturuar e formuar, jo me dije, por me kërcënime, shantazh, shpifje..... Populli por edhe miqtë ndërkombëtarë e panë live faqen e zezë të Kosovës, mjerimin e madh në të cilin kemi rënë ne, si popull dhe si shtet. Këtu u pa fare qartë se njerëzit e frikësuar e në panik, nuk janë më arsyeja, e drejta, ligji e përgjegjësia, por janë 'ujqërit' turbullues, shantazhues e mashtrues, të cilët tentojnë të strukën nën 'lavën' e servilëve të oborrit të vet korruptiv, edhe atëherë kur faji e mëkati shiheshin qartë në lëndinë. Njerëz të tillë duhet larguar sa më parë nga pushteti, përndryshe, skandale e situata edhe më të paqarta mund të vijnë në vijimësi, për shtetin dhe popullin e Kosovës. Kosova ka rreth dy milionë njerëz e qytetarë të tjerë më normal e më të përgjegjshëm për të udhëhequr shtetin", theksoi analisti Ramiz Bojaj.

(Koosva Sot)