Kriza politike/ Pesë aleatët e Bashës takojnë sot Metën, do t’i paraqesin…

  • 30 April 2019 - 09:25
Kriza politike/ Pesë aleatët e Bashës takojnë sot Metën, do t’i paraqesin…

Aleatët e kreut të PD-së do të zhvillojnë sot në mesditë një takim me Presidentin e Republikës, Ilir Meta, për krizën politike.

Takimi i kërkuar nga krerët e partive të qendrës së djathtë, Mediu, Duka, Shehi, Ndoka dhe Dule, ka për qëllim inicimin e një tryezë të gjerë nga kreu i shtetit, ku të marrin pjesë të gjithë aktorët politikë.

Platformën e prezantuar për marrëveshje kushtetuese, partitë e qendrës së djathtë do t’ia paraqesin edhe Presidentit Meta për të gjetur një konsensus të gjerë në funksion të zgjidhjes së krizës politike.

Pasditen e së hënës, kryetari i PD-së zhvilloi një takim me krerët e partive të qendrës së djathtë, ku diskutoi lidhur me vazhdimësinë e aksionit opozitar. Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, theksoi pas takimit, se zgjedhje vendore vetëm me një palë pjesëmarrëse nuk do të ketë, prandaj i bëri thirrje Kryeministrit të heqë dorë nga arroganca.

“Do t’i paraqesim platformën tonë, që përbën një bazë të mirë për të nisur përpjekjen e të gjitha palëve për konsensusin e domosdoshëm, që kërkon realiteti ynë. Zgjedhje me një palë nuk duhet, nuk mund dhe nuk do të ketë. Arroganca, prepotenca e zotit Rama nuk i shërben këtij objektivi”, tha Dule.

Ndërkohë që sot, në orën 11:00, do të takohen me Presidentin partitë e opozitës që nuk janë regjistruar në zgjedhjet vendore, duke e bërë të qartë se me Edi Ramën Kryeministër, proces zgjedhor nuk do të ketë.

(Kosova Sot)