Deputetja gjermane: Rezultati më i mirë i Samitit të Berlinit, heqja nga tryeza e idesë për korrigjim të kufijve

  • 01 maj 2019 - 12:22
Deputetja gjermane: Rezultati më i mirë i Samitit të Berlinit, heqja nga tryeza e idesë për korrigjim të kufijve

Deputetja e Parlamentit gjerman, Renata Alt, thotë që rezultati më i mirë i Samitit të mbajtur në Berlin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është fakti që në tryezën e bisedimeve ndërmjet dy shteteve, nuk do të jetë më ideja për korrigjim të kufijve.

“Rezultati më i rëndësishëm i konferencës për Ballkanin Perëndimor në Berlin: Një shkëmbim i territoreve është jashtë tavolinës së diskutimeve”, ka shkruar ajo në llogarinë zyrtare në Twitter.

Ajo thotë se tashmë është e rëndësishme që të avancohet në mënyrë sistematike drejt normalizimit të raporteve Kosovë – Serbi, e që do të nënkuptonte edhe stabilitet për të gjithë rajonin e Ballkanit.

“Pika kryesore tani është që në mënyrë sistematike të avancohet procesi i normalizimit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, për të stabilizuar të gjithë rajonin”, ka përfunduar ajo.

Fakti se korrigjimi i kufijve nuk do të jetë më në tavolinën e diskutimeve ka gëzuar edhe deputetin tjetër të Bundestagut, David Wadephul.

Ai ka thënë se ndihet i çliruar me faktin se “bisedimet për shkëmbime territoresh” janë gjëra nga e kaluara.

“Besimi mes serbëve dhe kosovarëve dhe stabiliteti në rajon mund të arrihen vetëm përmes marrëveshjeve ligjërisht obliguese për normalizim të marrëdhënieve, por jo përmes bisedimeve për shkëmbime territoresh”, ka thënë ai në një deklarim për ueb-faqen e grupit parlamentar “cducsu.de”. 

(Kosova Sot)