India fillon zhvendosjen e popullsisë për t’u përgatitur për ciklonin e radhës

  • 01 May 2019 - 18:37
India fillon zhvendosjen e popullsisë për t’u përgatitur për ciklonin e radhës

India ka filluar zhvendosjen e qindra mijëra fshatarëve të mërkurën dhe i ka ndërprerë aktivitetet në dy porte të rëndësishme detare në bregdetin lindor për shkak të një cikloni që pritet të shkaktojë rrëshqitje të dheut. Në rajonin e Odishas janë angazhuar qindra anëtarë të personelit për menaxhimin e fatkeqësive për të ofruar ndihmë për banorët që jetojnë në zonat me shtëpi të ndërtuara nga balta.

“Po i bëjmë përpjekjet tona më të mira për t’u përgatitur për ciklonin dhe për t’i zhvendosur më shpejt ata që janë të rrezikuar nga ai. Këta njerëz do të strehohen në vende tjera”, tha Bishnupada Sethi, komisioner special i këtij rajoni.

Turistët janë këshilluar të largohen nga zonat bregdetare të qytetit të Purit, i cili është vend i shenjtë për besimtarët hindusë.

Sezoni i ciklonëve në Indi zakonisht fillon në dhjetor dhe mbaron në dhjetor. Gjatë kësaj periudhe, vendi goditet nga stuhi të fuqishme dhe dhjetëra mijëra njerëz detyrohen të zhvendosen nga vendbanimet e tyre, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot)