Pompeu: SHBA mund të ndërhyj në Venezuelë

  • 02 May 2019 - 08:21
Pompeu: SHBA mund të ndërhyj në Venezuelë

Sekretari i shtetit – Mike Pompeo bëri të ditur se operacion ushtarak në Venezuelë është i mundur.

Gjatë një interviste për Fox Business Neës, Pompeo tha se përderisa SHBA-të do të preferonin t’i shmangeshin çdo lloji të dhunës, janë të gatshme të bëjnë atë që është e nevojshme për “të shpëtuar” Venezuelën nga presidenti i saj, Nicolas Maduro.

“Operacioni ushtarak është i mundshëm. Nëse kjo nevojitet, atë do ta bëjnë SHBA-të”, tha Pompeo.

“Ne po përpiqemi të bëjmë gjithçka për t’iu shmangur dhunës. Ne u kemi bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të mos përfshihen në aso lloje aktivitetesh”, shtoi kryediplomati amerikan.

SHBA-të kanë mbështetur tentativën për grusht shteti të iniciuar nga lideri i opozitës Juan Guaido, që synon largimin e presidentit Maduro.

“Ne do të preferonim transferim të qetë të pushtetit atje, ku Maduro do të largohej dhe do të mbahen zgjedhje të reja”, tha Pompeo.

Ditën e martë, Guaido postoi një video duke bërë thirrje për kryengritje për t’i dhënë fund “uzurpimit” të Maduros.

Ai theksoi se ky është fillimi i fazës finale të përpjekjes për të larguar Maduron, i njohur si “Operacioni Liria”.

Shefi i diplomacisë amerikane të martën tha se Maduro ishte i gatshëm që të braktisë vendin me një “avion të gatshëm në pistë”, mirëpo Rusia e bindi që të qëndrojë.

“Megjithatë, presidenti (Donald Trump) bëri të qartë se nëse vjen ai moment, të gjithë ne do të duhet të vendosim se kur është ai moment dhe presidenti përfundimisht duhet të marrë atë vendim”, tha Pompeo.

“Ai është i gatshëm ta bëjë atë, nëse ajo kërkohet”, shtoi ai.

(Kosova Sot)