Premtohet tribunal për gjykimin e krimeve serbe

  • 02 May 2019 - 15:02
Premtohet tribunal për gjykimin e krimeve serbe

Tre krerët institucional të shtetit, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kanë marrë pjesë në shënimin e 20-vjetorit të masakrës së Studimes në Vushtrri.

U tha se Serbia duhet të përgjigjet për gjenocidin që e ka bërë në Kosovë dhe për këtë me anë të një rezolute në Kuvendin e Kosovës dhe një tribunali, Serbia do të shpaguajë të gjitha krimet që ka bërë në Kosovë.

Presidenti Hashim Thaçi, u shpreh se shteti i Serbisë me masakrat që ka bërë e ka vulosur gjenocidin në Kosovë dhe mosndëshkimi për këto masakra është një amnisti për ta.

“Serbia e ka vulosur me këto masakra gjenocidin në Kosovë, dhe me anë të rezolutës që do të miratohet në Kuvend do të kërkojmë që drejtësia të vijë në vendin e duhur. Mosndëshkimi i masakrave të Serbëve në Kosovë është një amnisti për ta”, u shpreh ai.

E kreu i qeverisë, Ramush Haradinaj, tha se ende nuk është vendosur drejtësia për masakrën e Studimes, ndërsa Serbia po i mohon ato.“Çka është më e keqja që ata që i kanë kryer këto krime, kanë filluar me i mohuar këto”, tha kryeministri.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se gjitha këto krime që janë kryer në Kosovë janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë. Duke përmendur rezolutën që pritët të miratohet në Kuvendin e Kosovës, Veseli tha se me anë të kësaj do të shkohet deri në fund që gjithë përgjegjësit të jenë para drejtësisë.

“Duhet të jetë një tribunal, ose i Kosovës ose ndërkombëtar për gjitha krimet që i ka bërë Serbia në Kosovë”, u shpreh kryeparlamentari Veseli.

Kryetari i komunës se Vushtrrisë, Xhafer Tahiri u shpreh se kjo datë dhe këta martirë janë dëshmia e rrugës së gjatë dhe shumë të vështirë drejt rrugës së lirisë për Kosovën.

Në emër të familjarëve, Fehmi Gërxhaliu, kujtoi momente të 2 majit të 20 vjetëve më parë, duke thënë se në këto lugina, në mënyrë jo njerëzore u vranë 117 persona.

“Dhimbja nuk është harruar kurrë, këtë e shton më shumë mosndëshkimi i atyre që i kanë bërë. Deri sa sot i mohojnë këto krime, nesër do të mohojnë gjenocidin në Kosovë”, tha ai.

(Kosova Sot)