Ekstremistët në Gjermani komunikojnë përmes video lojërave

  • 03 May 2019 - 18:31
Ekstremistët në Gjermani komunikojnë përmes video lojërave

Në Gjermani ekzistojnë rreth 24.000 persona me bindje të së djathtës ekstreme, ndërsa gjysma e tyre janë persona potencialisht të rrezikshëm. E të gjithë këta komunikojnë përmes video lojërave në internet, dhe platformave siç është Steam.

Eksperti i punëve të brendshme të Gjermanisë, Konstantin Kuhle, kërkoi këtë të premte që autoritetet gjermane të fokusohen më shumë në gjetjen e lidhjeve të komunikimit të ekstremistëve të djathtë, duke përfshirë edhe video lojërat dhe platformat e komunikimit, raporton DW.

Ai thotë se përmbajtjet e ekstremistëve të së djathtës politike mund të qëndrojnë për vite të tëra në këto platforma. Këto çështje të dhunës që transmetohen në internet përmes video lojërave, madje kanë inspiruar dhe sulmet në Zelandën e Re.

Kuhle vëri në pikëpyetje përpjekjet e qeverisë për ta luftuar këtë fenomen, duke thënë se qeveria gjermane as nuk kujdeset që t’i kontrollojë përmbajtjet në platformën Steam. Kuhle tha se personi i cili la të vdekur nëntë persona në Mynih gjatë korrikut të vitit 2016, e ka përdorur pikërisht këtë platformë.

“Në atë platformë ai gjeti mënyra komunikimi me persona të tjerë të rrezikshëm, dhe kanë krijuar grupe të ndryshme” tha Kuhle për gazetën Neue Osnabrucker Zeitung.

Steam është një platformë e përdorur nga miliona njerëz, e cila zakonisht përdoret për të luajtur video lojëra.

(Kosova Sot Online)