"Gjarpri helmon edhe kur nuk kafshon"!

  • 06 May 2019 - 11:49

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka zgjedhur të dielën që mbeti pas, pra vetëm disa ditë pas Samitit të Berlinit, për të dërguar një porosi tek qytetarët e Serbisë, duke thënë se ideja e tij për korrigjimin e kufijve është thyer nga shërbimet sekrete perëndimore.

“Sot e kuptoj mirë se atë që e kam ofruar nuk ka mundur të kalojë për shkak të presioneve të fuqishme të disa vendeve, shërbimeve të tyre sekrete, të cilat i aktivizuan të gjitha agjenturat në vende të ndryshme, edhe ato politike edhe ato mediale që të punojnë apriori kundër një zgjidhje të tillë” ka thënë Vuqiq. Mirëpo pas dështimit të kësaj ideje, e cila gjeti përkrahje edhe në Kosovë nga Presidenti Hashim Thaçi, Vuqiq ka thënë se Kosova do ta fitojë sovranitetin e plotë.” Cila është zgjidhja tash, përveç asaj që Kosova dhe Metohia, jo me dëshirën time ose qe unë e kam njohur, do ta fitojë pavarësinë dhe sovranitetin në tërë territorin” ka thënë Vuçiq.

Mirëpo bazuar në këtë deklaratë të Vuqiqit, analisti politik Florim Zeqa thotë për “Kosova Sot Online” se dhe para Samitit te Berlinit ideja e shkëmbimit të territoreve në Ballkan ishte kundërshtuar fuqishëm nga shteti gjerman dhe disa shtete të fuqishme perëndimore. Ai thotë se ndarja e Kosovës është ide kamotshme e Serbisë, e ri aktualizuar nga Vuqiqi dhe mbështetur fuqishëm nga vasalet Hashim Thaçi, Edi Rama dhe mercenari mediatik Baton Haxhiu, prandaj deklaratat e fundit te Vuqiqit nuk duhet shikuar me shumë entuziazëm dhe relaksim, për faktin e ndikimit të fuqishëm politik mbi liderët e shantazhuar kosovar dhe të shtrirjes gjeopolitike të serbëve dhe zgjerimit të madh gjeografik të kishave e manastireve serbe në Kosovë.

“Sikurse që nuk duhet besuar shumë deklaratave patriotike të Hashim Thaçit, i cili deri para Samitit të Berlinit i mbante në duar gërshërët e Vuqiqit për ndarjen e Kosovës. Andaj, deklaratë e fundit të Vuqiqit perveqse duhet marr me rezerva dhe kujdes maksimal, duhet shfrytëzuar momentumin politik për largimin sa më parë nga pushteti të mercenarëve të tij në Kosovë, filluar nga Hashim Thaçi e deri tek "asistentet" e tij Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj nga të cilët e për të cilët Kosova do të behej copa-copa, vetëm e vetëm që ata dhe shokët e tyre t'i shpëtojnë Gjykatës Speciale, të cilës mbase edhe mundë t'i shpëtojnë, por asnjëherë nuk do t'i shpëtojnë ndëshkimit nga populli dhe drejtësia vendore për vjedhjen dhe plaçkitjen e buxhetit, uzurpimin e pronave publike dhe private, shkatërrimin e shtetit dhe thyerjen e shpresave të qytetarëve për jetë në Kosovën e lire e të pavarur nga Serbia”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas Zeqës, pavarësisht situatës relaksuese politike pas Samitit të Berlinit, ne duhet t'i kthehemi vetvetes më shumë se asnjëherë më parë, për t'u dëshmuar para botës se jemi për shtet dhe barazi shoqërore, fqinjësi të mirë dhe reciprocitet në tregti të lirë me fqinjët tanë duke mbrojtur integritetin shtetëror dhe sovranitetin e shtetit. “Mirëpo, para së gjithash duhet të dëshmohemi me largimin e hajnave nga pushteti, dënimin e tyre dhe konfiskimin e të gjitha pasurive te paligjshme. Atëherë dhe vetëm atëherë do të gëzojmë mbështetjen e miqve dhe respektin e armiqve. Kosova nuk guxon të mbetet edhe më tutje oazë e krimit të organizuar dhe peng i bandave kriminale që kanë kapur shtetin, uzurpuar institucionet e shtetit dhe ngulfatur frymëmarrjen e lirë të qytetarëve të këtij vendi. Vetëm me largimin e mercenarëve dhe vasalëve të Serbisë nga pushteti shpëtohet shteti nga degradimi i mëtutjeshëm dhe falimentimi, mbrohet sovraniteti i shtetit nga invazioni serb dhe ndarja territoriale.

Në të kundërtën, do të kemi vazhdimësi dhe përsëritje të skenarëve të rijnë të Serbisë ndaj Kosovës, për shkak së "gjarpri helmon edhe kur nuk kafshon"!”, tha analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot Online “.

(Kosova Sot Online )