Apeli lë në paraburgim të dyshuarit e shembjes së hotelit në Mitrovicë

  • 06 May 2019 - 16:16
Apeli lë në paraburgim të dyshuarit e shembjes së hotelit në Mitrovicë

Gjykata e Apelit i ka lënë në paraburgim pronarin dhe punëkryesin e Hotel “Adriatikut”, ku mbeti i vdekur 27-vjeçari nga Mitrovica, Visar Behrami. Ai humbi jetën nga shembja e një pjese të hotelit.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Gjykata e Apelit ka njoftuar se  i ka refuzuar si të pa bazuara, ankesat e avokatëve mbrojtës kundër caktimit të masës se paraburgimit prej një muaji, ndaj të pandehurve Afrim Hoti dhe Qamil Hajrizaj.

Pronari dhe punëkryesi i hotel “Adriatikut”, ku humbi jetën 27 vjeçari, Visar Behrami, do të mbahen në paraburgim deri me datën 22.05.2019.

Të pandehurit në fjalë, po dyshohen nga ana e prokurorisë se kanë kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm“ nga neni 356 par.5 lidhur më par.2, e lidhur më nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (kodi i ri).

“Gjykata e Apelit, njesoj gjykata e shkalles së parë, vlerëson se ka bazë të mjaftueshme ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurve në fjalë, ashtu siç kërkojnë dispozitat e nenit 187 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit. 

(Kosova Sot Online)