Katari dhuron 480 milionë dollarë për palestinezët

  • 07 May 2019 - 16:11
Katari dhuron 480 milionë dollarë për palestinezët

Zyrtarët e Katarit kanë thënë se do t’i dhurojnë 480 milionë dollarë për palestinezët që jetojnë në Rripin e Gazas dhe Bregun Perëndimor pas arritjes së marrëveshjes për armëpushim mes palestinezëve dhe izraelitëve. Luftimet e zhvilluara fundjavën e kaluar ishin më të përgjakshmet që nga viti 2014.

Ministria e Jashtme e Katarit njoftoi se 300 milionë dollarë do të dhurohen për programe mbështetëse në shëndetësi dhe arsim, të cilat do të zbatohen nga autoritetet palestineze, ndërsa 180 milionë dollarë do të dhurohen për ndihma urgjente përmes programeve të Kombeve të Bashkuara dhe sigurim të energjisë elektrike.

Në shpërthimin më të ri të dhunës u vranë 25 njerëz në Gaza, në mesin e të cilëve kishte militantë dhe civilë, dhe katër civilë në Izrael.

Zëdhënësi i Hamasit, Hazem Qassem, tha se ndërmetësit egjiptianë, së bashku me zyrtarët e Katarit dhe të Kombeve të Bashkuara, ndihmuan në arritjen e marrëveshjes së armëpushimit.

Në këtë marrëveshje besohet se janë përfshirë disa programe për ndihma ekonomike dhe zhvillim në Gaza, përfshirë sigurimin e energjisë elektrike dhe krijimin e vendeve të përkohshme të punës në territorin ku shkalla e papunësisë ka shkuar në më shumë se 50 për qind. Rripi i Gazas, i cili kontrollohet nga Hamasi, përballet me ndërprerje të vazhdueshme të energjisë elektrike.

Katari është vend i vogël dhe i pasur me naftë. Ai është bërë dhuruesi kryesor i ndihmave për palestinezët, të cilët janë përçarë mes dy qeverive rivale nga viti 2007, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)