Thaçi & Rama, zbatues të planit për ndarjen e Kosovës

  • 08 May 2019 - 13:31
Thaçi & Rama, zbatues të planit për ndarjen e Kosovës

Sa do që është krijuar një entuziazëm i madh në opinionin publik dhe politik të Kosovës, pas samitit të Berlinit, duke shpresuar që ideja e  shkëmbimit të territoreve është varrosur, gjë të cilën e thotë edhe ish kryenegociatorja Edita Tahiri, e cila  i godet rëndë Hashim Thaçin, Edi Ramën e Baton Haxhiun për përpjekjet e tyre për  realizimin e këtij projekti ruso serb, është analisti politik Florim Zeqa i cili dëshiron ti sheh proceset me maturi dhe kujdes shumë të madh, madje pa shumë ekzagjerim të entuziazmit për “fitore”.

Madje Zeqa thotë se për asnjë  grimë nuk duhet anashkaluar edhe përgjegjësinë që mundë të ketë vetë zonja Tahiri e cila nuk ka reaguar me kohë, nuk ka denoncuar kur për shef të sajin në bisedime e kishte Hashim Thaçin.

“Se a ishte historik Samiti i Berlinit për Kosovën, mbetët të shihet në ditët dhe javët në vazhdim. Mos mbështetja e idesë së shkëmbimit të territoreve në Ballkan konsiderohet hap i madh për Kosovën, por jo edhe fitore përfundimtare.

Rrëshqitja drastike e Kosovës në dialogun e Brukselit fillon me vënien e Fusnotës* në kohën kur kryenegociatore e palës kosovare në dialogun e ashtuquajtur "teknik" ishte pikërisht znj. Edita Tahiri, e cila sot me (pa) të drejt akuzon ish shefin e saj Hashim Thaçi. Edhe pse shumica e akuzave të Edita Tahirit ndaj Thaçit janë të vërteta, nuk e kanë peshën dhe as vlerën e duhur, për shkak se janë të vonuara”, thotë  Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Zeqa, Thaçi e Rama nuk ishin sponsorizues aq sa ishin zbatues të  planit të ndarjes, sikur Edita që e pranoi Fusnotën.  “Hashim Thaçi dhe Edi Rama nuk janë sponsorizues të ndarjes së Kosovës siç e thotë ajo, por zbatues dhe implementues të planeve ogurzeza të Serbisë, ashtu siq ishte edhe Edita zbatuese e fusnotës* në dialogun e Brukselit”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”. 

 Sidoqoftë, sipas analistit Zeqa, barra e përgjegjësisë duhet të matet saktë për secilin veç e veç. “Në fakt, qytetarët e vendit, duhet të jenë ata që kërkojnë përgjegjësi politike dhe juridike nga Hashim Thaçi, tani president i Kosovës, i cili shpenzoi dhjetëra miliona euro për lobim disa vjeçar për të propaganduar idenë e Vuçiqit për Serbinë e Madhe, përmes ndarjes së Kosovës, sikurse që duhet të kërkojnë përgjegjësi edhe nga Edita Tahiri për fusnotën* që se shkriu asnjëherë shiu i pranverave dhe dielli i verave të ngrohta. Përderisa znj. Edita Tahiri mbante postin e krye negociatores në dialogun e Brukselit, asnjë herë dhe për asnjë çast nuk e kishim dëgjuar ta kundërshtonte shefin e saj, ish kryeministrin Thaçi, madje as kur e nënshkroi marrëveshjen famëkeqe për AKS-në (Zajednicën)”, ka thënë Florim Zeqa për "Kosova Sot Online".

 

Veç tjerash, Zeqa thotë se  "Samiti i Berlinit shpërfaqi edhe një herë dobësitë dhe ndasitë tona, mosmarrëveshjet dhe hipokrizitë e lidershipit kosovar, i cili atë që flet në Prishtinë, nuk e thotë dot edhe në Berlin, Bruksel apo Paris. Zgjimi i vonuar i Edita Tahirit, i ngjet shiut pas të vjelave, ku tani rikuperimi i dëmeve nga dialogu politik ("teknik") i Brukselit është në dorën e fuqive të mëdha e jo në dëshirat dhe ëndërrat fëmijërore të politikanëve tonë”, theksoi Zeqa për "Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online )