1.5% të zviceranëve jetojnë në varfëri ekstreme

  • 08 May 2019 - 21:43
1.5% të zviceranëve jetojnë në varfëri ekstreme

Sipas një statistike të publikuar nga Zyra Evropiane e Statistikave Eurostat, 1.5 për qind e popullatës së Zvicrës mund të konsiderohet se jeton në varfëri ekstreme.

Ndërsa mesatarja e varfërisë ekstreme në të gjitha vendet e BE-së, marrë së bashku, ka prekur  6.2 për qind të popullsisë.

Më pak varfëri ekstreme se sa Zvicra, në BE kanë vetëm Suedia dhe Luksemburgu.

Kriter për të identifikuar dikë si të varfër ekstrem është pamundësia e tij për të paguar faturat, për të siguruar ngrohjen, për të përballuar shpenzimet e papritura, për të konsumuar rregullisht mish, peshk ose ushqim të krahasueshëm vegjetarian.

Varfëria ekstreme në Zvicër është shumë e rrallë por ajo, sipas Eurostat-it ka shënuar rritje viteve të fundit, gjegjësisht nga 0.1% për çdo vit prej vitit 2014 e këndej.

Nga ana tjetër, në shtetet e BE-së ka pasur një ulje të vazhdueshme të përqindjes së atyre që jetojnë në varfëri ekstreme. Kështu, nëse në vitin 2012 nga varfëria ekstreme ishin të goditur 9.9% të popullsisë, sot flitet për 6.2% të varfër ekstremë.

Si në Zvicër, ashtu dhe në BE, më së shumti nga varfëria ekstreme janë të goditur personat që jetojnë vetë ose familjet me një prind, që kanë fëmijë të mitur, përcjell albinfo.ch. Afërsisht një në 10 familje të tilla vuajnë nga varfëria ekstreme.

(Kosova Sot)