Miqtë ndërkombëtar kanë filluar t`ia kthejnë...

  • 09 May 2019 - 19:34
Miqtë ndërkombëtar kanë filluar t`ia kthejnë...

Tek sa vazhdojnë denoncimet publike të zyrtarëve të lartë diplomatik në Kosovë, kundër bartësve të korruptuar dhe të dështuar në politikën dhe institucionet e shtetit, analistët politik konsiderojnë se këto denoncime janë thirrje indirekte ndaj qytetarëve që të ngrihen në revoltë kundër të tillëve dhe ta ndryshojnë gjendjen e cila po e mban peng shpresën e qytetarit për plot dy dekada. Kështu mendon analisti politik Gani Qarri duke analizuar edhe deklarimet e fundit të ambasadorit britanez.

“Shprehja popullore thotë se; "Tupani bie për ata që kanë vesh" edhe Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Conell, përsëritë për të satën herë se problemet e Kosovës nuk mund t`i rregullojnë të huajt, por janë vet kosovarët ata të cilët duhet të ngritin zërin qytetar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që ndodhin pareshtur në Kosovë”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”
Analisti Qarri rikujton se ambasadori britanik ka shprehur pa kënaqësi edhe me Kuvendin e Kosovës duke deklaruar se edhe vendimet e deritanishme të Kuvendit, janë plotësisht zhgënjyese,ndaj të huajt nuk kanë më durim ti shohin se si përsëriten përditë dukuritë negative, para të cilave heshtin të gjithë qytetarët,kur dihet se mënyra e vetme për t’i detyruar politikanët vendor të ndërmarrin masa kundër gjendjes së krijuar në vend, është presioni qytetar. Prandaj të gjitha këto së bashku, nëse nuk ndryshohen nga populli, Kosova mundë të izolohet.


“Përndryshe, ambasadorit britanik, tërheq vërejtjen se Kosova do të gjykohet jashtë vendit, jo vetëm për shkak të sjelljeve të Qeverisë, por edhe nëse qytetarët heshtin dhe pranojnë në vazhdimësi këto sjellje të Ekzekutivit kosovar, sepse për ta është e papranueshme që në dy vjetët e fundit askush në Kosovë të mos dënohet për korrupsion dhe krim të nivelit të lartë”, theksoi Qarri për “Kosova Sot Online”


Ai ka shtuar se vërejtjet e sinqerta publike të z. Ruari O`Conell, dëshmojnë edhe një herë më tepër, se të gjithë miqtë ndërkombëtar kanë filluar t`ia kthejnë shpinën dhe ta izolojnë klasën aktuale të korruptuar dhe të kriminalizuar deri në fyt, të pushtetarëve, ndaj dhe vazhdojnë t`i bëjnë thirrje popullit të Kosovës që përfundimisht të ngritët kundër kësaj kaste të inkriminuar dhe të dështuar gjithanshëm politike.


“Prandaj Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Conell,shton se të huajt në vendin tonë,nuk janë pjesë e shoqërisë së këtushme, ata janë vetëm miq të Kosovës,të cilët nuk kanë të drejt vote as nuk mund ta ndryshojnë gjendjen në Kosovë, ndaj vet populli i Kosovës, përfundimisht duhet te zgjohet nga gjumi i gjatë i apatisë e të ngritë zërin qytetar kundër krimit te organizuar dhe mafies në Kosovë, akt ky i cili shprehë distancimin më të madh ndërkombëtar që ka ndodhur deri më tani ndaj kësaj klase tërësisht të kriminalizuar politike”.ka thënë Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online “