Shpërthen Zeqa: Vetëm protestat e popullatës mund ta sjellin ndryshimin në këtë vend

  • 10 May 2019 - 07:32
Shpërthen Zeqa: Vetëm protestat e popullatës mund ta sjellin ndryshimin në këtë vend

Lidhur me deklaratën e ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Conell, ditë më parë, se qytetarët duhet të ushtrojnë më shumë presion mbi politikanët vendor, po vazhdojnë të reagojnë me të madhe njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë duke e vlerësuar atë si një sinjal serioz që ju shkon qytetarëve për të bërë ndryshime, dhe për të ndëshkuar këtë klasë të stërkequr e të korruptuar politike.

Analisti politik Florim Zeqa, tha për “Kosova Sot Online” se fillimisht perceptimi i parë i ndërkombëtareve ndaj shtetit të Kosovës krijohet në përfaqësimin e shtetit, gjegjësisht në liderët shtetëror që përfaqësojnë Kosovën në takimet diplomatike e deri tek përfaqësimi diplomatik që nuk është ai që do të duhej të ishte, pastaj vijnë monitorimet brenda shtetit.

“Prandaj gjykimi i Kosovës jashtë vendit bëhet sipas sjelljeve të pushtetarëve dhe reagimit të qytetarëve. Ambasadori i Britanisë së Madhe Ruari O'Conell e tha një të vërtetë të madhe që unë e kam thënë vazhdimisht nëpër shkrimet e mia, se ndryshimi për Kosovën nuk vjen nga jashtë, por nga qytetarët e saj. Reagimi i fundit i O'Conell është dëshmi se ndërkombëtaret kane filluar t'ia kthejnë shpinën dhe ta izolojnë klasën e kriminalizuar politike të vendit tonë. Prandaj, mënyra e vetme për t'i larguar politikanët e korruptuar kosovar është presioni qytetar”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Analisti Zeqa thotë se largimi i figurave të prishura politike fillon me bojkotimin e aktiviteteve të tyre dhe injorimin me mos ftuarje në aktivitete shoqërore, sikur bie fjala; me ndalimin e pjesëmarrjes në aktivitete përkujtimore për dëshmoret dhe të rënët për lirinë e Kosovës si dhe ndalimin e pjesëmarrjes në aktivitetet e mërgatës sonë e deri tek ndëshkimi final me votën e qytetareve. Mirëpo zgjimi i popullit në protesta duhet të jetë akti i fundit, sipas analistit Zeqa.

“Prandaj vetëm aktivizimi dhe ngritja e popullatës në protesta masive popullore kundër krimit te organizuar dhe pa dëgjueshmëria qytetare ndaj kusarëve politik mund ta sjellin ndryshimin e shpejt në këtë vend.

Në të kundërtën, alternativa e vetme mbetet organizimi i mërgatës në mbrojtjen dhe çlirimin e vendit nga uzurpatorët lirisë sonë. Largimi i uzurpatorëve nga pushteti dhe pastrimi i skenës politike nga të korruptuarit dhe inkriminuarit, nga hajdutët dhe kriminelët, përveç se kauzë shtetërore, është edhe çështje ekzistenciale për qytetarët e Kosovës”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)

 

(Kosova Sot Online )