Presidenti sapo hyn në Kosovë bën një deklaratë për konsum të brendshëm

  • 10 May 2019 - 11:41
Presidenti sapo hyn në Kosovë bën një deklaratë për konsum të brendshëm

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, po vazhdon me insistimin e tij se kufiri ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë duhet të hiqet.

Fillimisht këtë deklaratë e kishte bërë pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me 8 maj në kuadër të Samitit të Brdo-Brijunit i cili është mbajtur në Tiranë, ndërsa të njëjtën e ka përsëritur edhe sot.

Thaçi kufijtë ndëmrjet Kosovës dhe Shqipërisë i ka cilësuar si gërmadha, që duhet të hiqet një herë e përgjithmonë.

Megjithatë në reagimin e tij ai thotë se për të ndërmarrë një veprim të tillë duhet një guxim nga institucionet e të dyja shteteve.

“Sapo kalova pikën kufitare në Morinë, e cila ndanë padrejtësisht Kosovën dhe Shqipërinë. Kufi ky i vendosur jashtë vullnetit të Kosovës dhe Shqipërisë. Këto gërmadha kufitare duhet të hiqen njëherë dhe përgjithmonë. Kosova dhe Shqipëria duhet të kenë liri të lëvizjes dhe mallrave sipas standardeve evropiane. Institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të guxojnë t’i marrin këto vendime dhe atë pa humbur kohë!” ka shkruar ai në profilin e tij zyrtar.

Për këtë temë Thaçi ka folur edhe të enjten në ‘Opinion’, ndërkohë gazetari Blendi Fevziu i ka thënë se sa herë Shqipëria dhe Kosova kanë probleme, hapet diskutimi për heqjen e kufijve mes vete.

Këto deklarata të Thaçit kanë nxitur edhe reagime të shumta nga Serbia, të cilët thonë se po synohet që të krijohet ‘Shqipëria e Madhe’.

E për diçka të tillë dje ka folur edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se duhet që të hiqen barrierat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë që të mos ketë shumë vonesa.

(Kosova Sot Online)