Kurti për Telekomin: Duan ta mbysin pulën, t’ia hanë mishin e ta shpallin pulën virtuele si reale

  • 12 May 2019 - 11:48
Kurti për Telekomin: Duan ta mbysin pulën, t’ia hanë mishin e ta shpallin pulën virtuele si reale

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, falimentimin e Telekomit e sheh si të qëllimshëm.

Ai thotë se, kompanitë e Telekomit nuk falimentojnë askund. Dhe se vështirë të gjendet ndonjë sektor tjetër i ekonomisë me fitime të garantuara sikurse ky.

Sipas tij falimentimet ndodhin vetëm nëse synohet diçka e tillë dhe falimentimi i Telekomit mund të ngjajë veçse me paramendim nga pronari.

Kurti në një postim në Facebook ka thënë se, Telekomi i Kosovës është si një pulë që sjell vezë të arta.

Sipas tij, kur pushtetarët e panë që nuk po ndalet pula edhe atëherë kur ia vidhnin vezët, ia ndërprenë ushqimin duke ia ndaluar investimet.

“E kur as kjo nuk e ndali, atëherë ia sulmuan trupin së jashtmi me një Z pulë virtuele, ia sulmuan organet së brendshmi me kontrata e punësim parazitor, si dhe e zhvlerësuan duke e nxjerrë në shitje. Pula mbeti gjallë e regjimi s’po u besonte syve të vet. Andaj, pula virtuele e hodhi në gjyq pulën reale dhe e dënuan atë! Pra, duan ta mbysin pulën, t’ia hanë mishin, dhe ta shpallin pulën virtuele pulë reale”, shkruan ai.

Ai thotë se sot, më 12 maj, janë mbushur 10 muaj prej kur Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën për shpëtimin dhe mbrojtjen e Telekomit të Kosovës. Mirëpo sipas tij, kjo qeveri i trajton rezolutat e Kuvendit si ushqime të ndryshme të një tavoline suedeze: merr çka i hahet për t’u majmur për vete.

“Edhe PANhajni në njërën anë, edhe ekonomi e demokraci në anën tjetër, Kosova nuk mund të ketë. Sot, krimineli po e padit viktimën dhe po e fiton gjyqin! Nesër, nuk do të jenë më këta, ndodhen në mandatin e tyre të fundit në pushtet. Por, sa më i afërt fundi për këtë qeveri dhe sa më e shkurtër jeta e saj, aq më larg fundit shteti ynë dhe më e gjatë jeta e tij”, ka shkruar Kurti.

(Kosova Sot Online)