Ministria e Brendshme për protestën: Të paktën sot nuk pati përdorim masiv të bombave molotov

  • 13 May 2019 - 23:32
Ministria e Brendshme për protestën: Të paktën sot nuk pati përdorim masiv të bombave molotov

Ministria e Brendshme ka reaguar në mbrëmje vonë për protestën marshim të mbajtur këtë pasdite nga ana e opozitës. Përmes një deklarate zv.Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, deklaroi se edhe këtë të hënë opozita nuk arriti të futej në hullitë e ligjit për shkak të dhunës së ushtruar kundrejt institucioneve, disa prej të cilave u goditën me gurë nga ana e protestuesve.

Megjithatë, ai tha se edhe në tubimin e kësaj të hëne nuk mungoi përdorimi i mjeteve të ndaluara dhe të rrezikshme, që çuan në plagosjen e efektivëve të policisë dhe dëmtimin e institucioneve.

Lamallari: Protesta e sotme e Partisë Demokratike nuk arriti të futej në hullitë e ligjit. Ajo u shoqërua me një përdorim të madh të mjeteve të ndaluara dhe të rrezikshme shpërthyese, të gurëve dhe mjeteve të tjera përfshirë dhe pak bomba molotov.
Si rezultat i dhunës u lënduan policë, të cilët janë duke marrë ndihmën mjekësore në spitale, si edhe u thyen xhamat e dritareve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Institucione kushtetuese si Parlamenti i Shqipërisë dhe Kryeministria u sulmuan sërish sot në mënyrë të jashtëligjshme.

Por krahasuar me sulmet e të shtunës, protestës së sotme i mungoi përdorimi masiv dhe i koordinuar i bombave molotov, çka tregon se kur drejtuesit e protestës angazhohen seriozisht janë të aftë ta kontrollojnë dhunën e militantëve.

Trafiku rrugor pësoi bllokime të vazhdueshme në disa akse kryesore të qytetit dhe pavarësisht përpjekjes së vazhdueshme të efektivëve të policisë rrugore, dëshirojmë t’i kërkojmë ndjesë qytetarëve për vështirësitë në lëvizje mbrëmjen e sotme.
Ministria e Brendshme shpreh mirënjohje për angazhimin profesional dhe për vetëpërmbajtjen e admirueshme të të gjithë forcave policore përballë provokimeve të shumta dhe të vazhdueshme.

Strukturat e rendit dhe sigurisë publike janë të motivuara dhe të përgatitura për të kryer me përpikmëri, profesionalizëm dhe përgjegjshmëri të lartë detyrën në shërbim të ruajtjes së një mjedisi të lirë, të qetë dhe të sigurt, ku gjithkush ka mundësi të ushtrojë të drejtat demokratike”,-tha Lamallari.


(Kosova Sot Online)