OEAK: Rritja e pagës minimale mund ta përkeqësojë papunësinë

  • 14 May 2019 - 11:17
OEAK: Rritja e pagës minimale mund ta përkeqësojë papunësinë

Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës (OEAK) kërkon që paga minimale në Kosovë të jetë reflektim i parametrave ekonomike në vend.

Çështja e pagës minimale është bërë temë debati së voni ndërmjet atyre që i mbrojnë të drejtat e punëtorëve, institucioneve dhe bizneseve.

Në një njoftim për media, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thekson se fuqia e lirë punëtore është një ndër faktorët kryesorë që ndikon jo vetëm në konkurrueshmërinë e bizneseve, por edhe në përpjekjet e Kosovës për të tërhequr investime të huaja direkte.

“Rritja e pagës minimale mund të përkeqësojë edhe më shumë papunësinë në mesin e të rinjve, si dhe punëtorëve me shkathtësi më të ulëta, që zakonisht bëjnë pjesë në grupin e përfituesve të pagës minimale, ndërsa sipas Anketës së Fuqisë Punëtore të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Kosova ka një normë të lartë të papunësisë në mesin e të rinjve – me mbi 55%”, thuhet në njoftimin e OEAK-ut.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që paga minimale në Kosovë të jetë 300 euro në muaj.

Paga minimale në Kosovë, që nga viti 2011, nuk ka pasur ndryshime dhe vazhdon të jetë 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.

(Kosova Sot Online)