A ka kërkuar Zvicra bashkëpunim me Kosovën për rastin e Loredanës

  • 14 May 2019 - 12:01
A ka kërkuar Zvicra bashkëpunim me Kosovën për rastin e Loredanës

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, thotë se nuk ka pasur asnjë rast të paraqitur për reperen Loredana Zefi ose burrin e saj Gramoz Aliu të njohur si Mozzik.

Në një përgjigje për media, Jashari thotë se kanë njohuri për rastin që është bërë publik në media, por që shton se në prokurori të Ferizajt nuk ka pasur asnjë lëndë të tillë për dy personat në fjalë.

“Jo nuk kemi pasur ndonjë rast për Loredana Zefin, për dyshimet e njëjta që i kanë në prokurorinë e Zvicrës”, thotë Jashari.

Tutje, ai po deklaron se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë për bashkëpunim nga organet e Zvicrës për këtë temë.

“Ne nuk kemi marrë momentalisht ndonjë kërkesë për bashkëpunim nga organet e Zvicrës, nëse një gjë e tillë ndodh ne njoftohemi përmes Ministrisë së Drejtësisë, por që deri më tani nuk ka ndonjë gjë të tillë”, tha Jashari

Reperja nga Ferizaj, Loredana Zefi, po dyshohet se ka marrë një shumë të madhe të parave nga një çift në Zvicër, duke u paraqitur para të njëjtëve si vajza e një avokati të njohur.

Skandali u thellua edhe më shumë kur u raportua se të përfshirë ishin edhe persona tjerë të familjes Zefi, përfshirë këtu edhe reperin nga Ferizaj Mozzik e vëllanë e tij Getinjo.

Deri më tani prokuroria e Zvicrës po vazhdon hetimet, e këtë e kanë bërë të ditur për media pala mbrojtëse e Loredana Zefit. 

(Kosova Sot Online)