Steve Bullock futet në garën për president të Shteteve të Bashkuara

  • 14 May 2019 - 14:56
Steve Bullock futet në garën për president të Shteteve të Bashkuara

Guvernatori i Montanas, i cili vjen nga radhët e Partisë Demokratike, Steve Bullock, njoftoi të martën se do të bëhet pjesë e garës për t’u nominuar si kandidat i partisë së tij në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara në vitin 2020.

Në mesin e një gare me më shumë se 20 kandidatë të partisë demokratike, Bullock u përpoq ta dallojë veten në videon për hapjen e fushatës përmes theksimit të aftësisë së tij për të bashkëpunuar me republikanët dhe të kaluarës së tij për kundërshtimin e shpenzimeve në zgjedhje.

“Nuk e kam luksin të flas vetëm me njerëzit që pajtohen me mua”, tha Bullock në videon njoftuese për fillimin e fushatës personale.

Në zgjedhjet e vitit 2016, presidenti amerikan kishte fituar me epërsi prej 21 për qind dhe Bullock ishte rizgjedhur në pozitën e guvernatorit me epërsi prej 4 për qind të votave.

Para se të zgjidhej guvernator i Montanas në vitin 2012, Bullock ka shërbyer si prokuror i përgjithshëm i këtij shteti.

Politikani 53 vjeç e ka përkrahur martesën e personave me gjini të njëjtë, e ka zgjeruar qasjen në planin federal për sigurim shëndetësor dhe i ka mbrojtur tokat që janë në pronësi publike, shkruan “The Guardian”

(Kosova Sot Online)