Qarri: Spiunët e UDB-së bëjnë sondazhe të rrejshme

  • 16 May 2019 - 09:59
Qarri: Spiunët e UDB-së bëjnë sondazhe të rrejshme

Analisti politik Gani Qarri e sheh si shumë serioze dhe madje të rrezikshme mënyrën se si kanë përzgjedhur partitë politikë, për të provuar që me sondazhe të rrejshme, të porositura që të bëhen nga strukturat e ish agjentëve të UDB-së, ta mashtrojnë elektoratin duke publikuar raporte mashtruese kinse për besimin që qytetarët e kanë dhënë ndaj tyre në fazën e anketimit. Sipas Qarrit, kjo është një lojë e çmendur e parive politike që e kanë humbur besimin tek votuesit e tyre.

Image
Gani Qarri

“Çmenduria e segmenteve politike, ka shkuar deri aty sa që po shiten e blihen me para të krimit të organizuar edhe sondazhet e partive të dështuara aktuale, vetëm e vetëm për ta paraqitur rrejshëm partinë e vetë si më të votuarën”, theksoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

Për aq më tepër, sipas Qarrit, partitë politike kosovare, kanë devijuar aq shumë sa që për sondazhe, po i angazhojnë edhe spiunët e UDB-së, të cilët i njeh i gjithë opinioni publik i vendit edhe si tradhtar të popullit dhe shtetit të Kosovës.

“Madje po këta spiun po paguhen majmë si për sondazhe, ashtu edhe për fushata zgjedhore, të cilët shpërblehen me shuma marramendëse të parave të pista. Për aq më keq, njerëzit e UDB-së, jo vetëm që spiunojnë,për çdo veprim të partive të cilave ua udhëheqin fushatën,por fatkeqësisht edhe çdo raport shkon në Beograd. Ndaj mbetet mister dhe tërësisht e pa kuptueshme se çfarë i shtynë partitë politike kosovare që edhe pse e kanë të njohur faktin se personat të cilët i angazhojnë janë dhe vazhdojnë të jenë spiunë të UDB-së, sërish të njëjtit i angazhojnë duke i paguar goxha shumë, përveçse, nëse shantazhi është arsyeja se pse partitë politike obligohen që paratë e fushatave t'ua dorëzojnë në dorë spiunëve të UDB-së në media, në mënyrë që të fabrikojnë sondazheve mashtruese”, tha analisti Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )