Grabitja në Rinas/ ‘Dëshmitari më ngatërron”, mbetet në burg ‘Daja’

  • 17 maj 2019 - 09:23
Grabitja në Rinas/ ‘Dëshmitari më ngatërron”, mbetet në burg ‘Daja’

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda la në burg Ragip Hajdinin, kosovarin e arrestuar si të implikuar në grabitjen e 6 milionë eurove në Rinas.

Hajdini ka mohuar të ketë gisht në ngjarje, ndërsa pranon njohjen me Aleksandër Muratajn, por jo bashkëpunimin me vëllain e tij, Admir Murataj, në grabitjen në Rinas, në 9 prill të këtij viti.

Por, ndërsa kosovari pretendon se nuk është i implikuar dhe se dëshmitari i cili edhe e ka identifikuar, Alkond Bengasi, e ngatërron me ndonjë person tjetër, për Prokurorinë, në këtë fazë ku janë hetimet, ka prova dhe dyshime të arsyeshme se Hadjini ka qenë njohje e afërt e Admir Muratajt dhe ka ndihmuar grupin kriminal për grabitjen.

Gjatë seancës së djeshme, ashtu si në Shkallë të Parë, edhe Apeli i Krimeve të Rënda vendosi të lërë në burg Ragip Hajdinin deri në përfundim të hetimeve. Prokuroria dyshon se Hajdini së bashku me Muratajn dhe Çalën, janë personat që kanë organizuar, siguruar mjetet dhe më pas edhe kanë vepruar për të kryer grabitjen, të ndihmuar edhe nga persona të tjerë, një pjesë e tyre të identifikuar dhe shpallur në kërkim, ndërsa një pjesë ende e paidentifikuar.

Arrestimi i Hajdinit është kryer te Shkëmbi i Kavajës gjatë një operacioni sekret. Ndërkohë, Bengasi e përshkruante atë si njeriun që takonte shpesh Admir Muratajn dhe Klement Çalën. Ai e kishte përshkruar si një person rreth 50 vjeç, nga Kosova, i thirrur ndryshe edhe me nofkën “Daja”.

Ndërkohë, në një reagim për mediat, familjarët e kosovarit të arrestuar janë shprehur se ai nuk ka lidhje me grabitjen dhe se nuk e thërrasin as “Daja”. Familjarët e Ragipit e konsideruan të padrejtë arrestimin, që, sipas tyre, ka ardhur vetëm se ka njohje me Muratajt.

(Kosova Sot Online)