Hapja e dosjeve të UDB-së, peng i frikës nga hapja e dosjeve të SHIK-ut

  • 19 May 2019 - 13:04
Hapja e dosjeve të UDB-së, peng i frikës nga hapja e dosjeve të SHIK-ut

Kosova si realitet i ri shoqëror e shtetëror, po i kalon  gjashtë legjislatura të Kuvendit, në kushte të zgjedhjeve demokratike, pas daljes nga prangat e regjimit të kaluar dhe akoma nuk ka asnjë  inicim të  që të kërkohet  hapja e dosjeve të regjimit të kaluar, që përfundimisht të dihet se kush kanë qenë bashkëpunëtoret e UDB-së në Kosovë. Sipas analistit Nexhat Haziri, mungesa e një Ligji për ta zhvilluar një proces të tillë po e  shtyn në pafundësi zbardhjen e tyre dhe pastrimin e skenës politike nga elementët e UDB-së, por edhe të SHIK-ut njëkohësisht sepse hapja e dosjeve të njërit shërbim implikon nevojën për hapjen e dosjeve edhe tek shërbimi tjetër.

Image
Nexhat Haziri

Ai ka rikujtuar se ka pasur iniciativa gjysmë të heshtura para shpalljes së pavarësisë por aso kohe ishin penguar nga UNMIK-u. Mirëpo është e pa falshme që kjo  ndërmarrje ligjore nuk bëhet tani kur shteti mund të vendosë vetë, që sipas Hazirit nuk  bëhet pasi shumë   individ që janë në dosjet e regjimit serb si bashkëpunëtor, tani janë në politike dhe në institucione.  “Dhe tani pas 11 viteve të pavarësimit të Kosovës, askush sikur ku po shprehë interesim për hapjen e këtyre dosjeve të UDB-së dhe njerëzve që i kanë shërbyer këtij shërbimi, për arsyeja se shumë nga ta në mënyra të ndryshme përfaqësohen në institucionet tona shtetërore apo edhe në administratë publike”, tha Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online “.  

"Nga mungesa e këtij ligji që do të mund ta pastronte jo vetëm skenën politike , por edhe institucionet e tjera siç janë prokuroritë, gjykata, policia, AKI-ja,  për fat të keq", sipas Hazirit,  "ne sot në institucionet ë vendit, kemi zyrtar me një të kaluar mjaftë të dyshimtë. E hapjen e dosjeve të UDB-së, sipas hairit e mban peng edhe dosja e SHIK-ut  që tani më është deklaruar si organizatë e shuar por që botërisht dihet se ka vepruar".

 “Në këtë drejtim, mendoj se Kosova akoma nuk është e gatshëm për ta bërë një hap të tillë, pasi krahas hapjes së dosjeve të UDB-së, duhet të bëhet edhe hapja e dosjeve të organizatës kriminale SHIK-u, që jo në pak raste ka punuar me njerëz të shërbimit apo ish shërbimit të UDB-së, dhe që po ashtu mbi këtë organizatë dyshohet edhe për veprimtari të tjera kriminale dhe në dëm të Kosovës”, tha Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”. 

Sipas Hazirit, hapja e të dyja dosjeve UDB-së dhe SHIK-ut, do të mundë të zbardhte shumëçka për vrasjet politike të pasluftës, dosje këto që mund ti ofrojnë faktori ndërkombëtar, sidomos partnerët e Kosovës, përmes shërbimeve të tyre që janë në Kosovë tash e një kohë të gjatë, që po ashtu ka edhe dosje mbi rrjetin e krimit të organizuar në Kosovë në të cilën janë të përfshirë edhe politikan të nivelit të lart në Kosovë.  Derisa nuk e kërkon edhe këtë proces faktori ndërkombëtar, Haziri nuk e beson që do e bëjnë vullnetarisht partitë e tanishme politike dhe Kuvendi i Kosovës. 

”Këtë pastrim të skenës politike dhe administratës publike përmes një ligji të lustracionit që kërkon institucione të qëndrueshme dhe profesionale dhe të pavarura, Kosova  nuk mund ta bëjë pa mbështetjen dhe asistencën e partnerëve ndërkombëtar, aq më pak tani kur në institucionet më të larta të vendit kemi njerëz të dyshuar për krime luftë, për vrasje të kundërshtarëve politik, udhëheqës dhe mbështetës politik të krimit të organizuar, korrupsionit,me një fjalë kur shteti është kapur nga mafia politike”, theksoi  Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)