Palestinezët nuk besojnë në rezultatin e konferencës për paqe të organizuar nga ShBA-ja

  • 20 May 2019 - 13:07
Palestinezët nuk besojnë në rezultatin e konferencës për paqe të organizuar nga ShBA-ja

Zyrtarët e lartë palestinezë kanë thënë se përpjekjet për arritje të paqes me Izraelin do të dështojnë, nëse injorohen aspiratat politike të Palestinës. Këto deklarate vijnë pas njoftimit se administrata e presidentit Trump do ta organizojë muajin e ardhshëm një konferencë ekonomike si hap të parë për zbatimin e planit për paqe në Lindje të Mesme.

Uashingtoni njoftoi të dielën se Bahrejni është pajtuar të mbahet një konferencë për paqe, në të cilën do të diskutohet për potencialin ekonomik të rajonit. Presidenti amerikan ka premtuar se plani i tij për paqe mes Izraelit dhe Palestinës do të jetë marrëveshja e shekullit.

Një zëdhënës i presidentit palestinez, Mahmoud Abbas, e vuri në dyshim rezultatin e konferencës së Bahrejnit. “Asnjë plan që nuk parasheh zgjidhje politike nuk do ta sjellë paqen”, tha të hënën Nabil Abu Rdeneh.

Saeb Erekat, diplomat i lartë palestinez, tha: “Të gjitha përpjekjet për t’i detyruar shtypësit dhe të shtypurit të ekzistojnë së bashku janë të paracaktuara të dështojnë. Kjo nuk ka të bëjë me përmirësimin e kushteve të jetës nën pushtim, por edhe me arritjen e potencialit të plotë të Palestinës përmes përfundimit të pushtimit izraelit”.

Përndryshe, kryeministri palestinez, Mohammad Shtayyeh, tha se qeveria e tij nuk është informuar paraprakisht për konferencën e investimeve. “Kabineti nuk është kontaktuar për këto diskutime, as për përmbajtjen, as për kohën, as për rezultatin”, tha ai gjatë një takimi të ministrave. Ai shtoi se palestinezët nuk bëjnë tregti me të drejtat e tyre politike në këmbim të parave, shkruan “The Guardian”

(Kosova Sot Online)