I hiqet licenca avokatit zviceran – ka mbrojtur së tepërmi kosovarin që akuzohet për dhunim

  • 22 maj 2019 - 22:26
I hiqet licenca avokatit zviceran – ka mbrojtur së tepërmi kosovarin që akuzohet për dhunim

Pasi që e kishte mbrojtur “me çdo kusht” kosovarin e akuzuar për përdhunim të shumëfishtë seksual, një avokati zviceran i është hequr leja e ushtrimit të profesionit për dy vite. Pas ankesë, dënimi i është ulur në një vit.

Klani familjar ka bërë gjithçka që ka qenë e mundur për të shpëtuar nga vuajtja e dënimit me burg kosovarin 29-vjeçar, të akuzuar për përdhunim të shumëfishtë seksual. Dhe kjo këmbëngulje tashti po prodhon pasoja edhe për avokatin e të akuzuarit.

Tri instanca gjyqësore e kanë dëshmuar se 29-vjeçari,  tri mikeshat e tij i ka keqtrajtuar përmes futjes së tmerrit  dhe i ka përdhunuar në mënyrë të vazhdueshme, të shumëfishtë dhe brutale, shkruan tagblatt.ch.

Nga frika dhe nën terrorin psikologjik, vajzat nuk kanë pasur më fuqi t`i kundërviheshin përdhunimeve. Por nga kjo nuk mund të nxirret përfundimi se ato e kanë miratuar atë që u ka bërë ai. Gjë për të cilën i akuzuari pikërisht është përpjekur të bindë trupin gjykues.

Gjithnjë në këtë linjë, edhe avokati ka pleduar për shpalljen e tij të pafajshëm. Por, në gjykimin e shkallës së parë në Gjykatën e Qarkut Werdenberg-Sarganserland në vitin 2016 ai kishte dështuar në këtë përpjekje. Edhe Gjykata e Kantonit St. Gallen në vitin 2017 si dhe Gjykata Federale në vitin 2018 e kanë mbështetur vendimin nga shkalla e parë.

Gjykimi në Gjykatën e Qarkut është zhvilluar nën masa të forta të sigurisë. Madje procesi gjyqësor atje u desh të ndërpritej rreth mesditës. Për shkak të rrezikimit akut, u desh të silleshin edhe policë të tjerë si përforcim. Pjesëmarrësit në gjykim nuk u lejuan të dilnin jashtë sallës së gjykimit për shkak se ishte evidente se persona nga rrethi i të akuzuarit po paraqitnin rrezik akut, transmeton albinfo.ch. Kjo skenë morbide përbënte kulmin e përpjekjeve të shumta të 29-vjeçarit për të ushtruar presion mbi viktimat.

Ato më parë i kishin tërhequr disa herë kallëzimet penale ndaj tij nga frika për jetën e tyre. Në këtë klimë, edhe avokati i kosovarit e kishte marrë dy herë në pyetje njërën nga vajzat e përdhunuara. Këtë e kishte bërë në zyrën e vet, pa lejen dhe pa praninë e avokates së saj.

Dy javë më vonë, Oda e Avokatëve e St.Gallenit ksihte hapur një procedurë disiplinore kundër avokatit. Në vendimin e saj, Oda kishte konstatuar se avokati kishte bërë shkelje të rregullave të profesionit. Si përfundim, ajo e kishte dënuar atë me dy vjet mos ushtrim të profesionit, transmeton albinfo.ch.

Pas ankesës së tij, Gjykata Administrative ia kishte ulur dënimin në 1 vjet mos ushtrim të profesionit. Por avokati sërish ishte ankuar. Kësaj here në Gjykatën Federale, duke kërkuar që dënimi (masa disiplinore)  t`i hiqej plotësisht. Ndërkaq, Gjykata Federale në vendimine  saj të publikuar ditëve të fundit, ka konfirmuar vendimin  e instancës paraprake. Pra, ankuesi ka përfundimisht ndalesë ushtrimi të profesionit të avokatit për një vit.

Ky dënim kishte ardhur edhe për faktin se avokati kishte tashmë më shumë se një precedent. Në vitin 2009  dhe në vitin 2014, atij i ishte hequr leja e punës  si avokat. Të dy herët bëhej fjalë për sjelljen e tij “jashtëzakonisht problematike”.

“Ndonëse nuk mund të vërtetohet në siguri të plotë se ai kishte ushtruar presion në kuptimin e presionit që ushtronte familja e kosovarit të akuzuar, rreziku që ai ta ketë bërë këtë, ishte i mundshëm. Veç kësaj, veprimi i tij `ngre dilema serioze për përshtatshmërinë e tij për të ushtruar  profesionin e avokatit`. Ai sidoqoftë, ka shkelur në mënyrë të theksuar detyrimin e patjetërsueshëm të avokatit për të treguar kujdes ndaj një viktime të dyshuar të dhunës seksuale, e cila ndodhej në një gjendje të rëndë psikike”, thuhet në vendimin e Gjykatës Federale.

(Kosova Sot Online)