Nuk është kohë e përshtatshme për zgjedhje

  • 24 May 2019 - 07:54
Nuk është kohë e përshtatshme për zgjedhje

Opozita është e vendosur se do të iniciojnë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë ku presin të rrëzohet qeveria, të shpërbëhet Kuvendi dhe Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Por, sa është e mundur të ndodh një gjë e tillë dhe sa është e gatshme Kosova për zgjedhje të jashtëzakonshme?

Ekspertët kanë vlerësuar se nisma e opozitës nuk do të realizohet, por gjithashtu janë shprehur se Kosova nuk është në situatë të përshtatshme për të shkuar në zgjedhje

Njohësi i proceseve politike dhe analisti Ramush Tahiri është shprehur për lajmi.net se partitë opozitare nuk do të arrijnë t’i sigurojnë votat për rrëzimin e Qeverisë.

“Unë nuk mendoj se bëhen votat për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj sepse VV, PSD dhe LDK, nëse bëhen bashkë në rastin më të mirë i kanë 56 vota, do të thotë iu duhen edhe vota të tjera, shembull Lista Serbe, e që Vetëvendosje dhe PSD nuk dëshirojnë bashkëpunimin me ta për rrëzimin e qeverisë. Kjo nënkupton se është e pamundshme të rrëzohet qeveria në këto kushte. Unë po habitem pse nuk po iniciohet procedura dhe të bëhet debat për rrëzimin e qeverisë dhe të denoncohen raste që të tregojnë ku është problemi dhe të krijohet opinion anti-qeveri nëse kanë argumente. Për të iniciuar këtë, ata i kanë 44 vota që të fillohet procedura në Kuvend dhe të futet në rendin e ditës”, tha Tahiri.

Tahiri gjithashtu është shprehur se deputetët nuk do të pajtohen të rrëzohet qeveria për shkak të mandateve të tyre, duke shtuar se koha e verës nuk është e përshtatshme për zgjedhje.

“Tjetra, nuk besoj që deputetët pajtohen me e rrëzu qeverinë sepse është njerëzore dhe praktike, deputetët i bëjnë dy vite në qershor dhe pastaj iu numërohet mandati i plotë dhe deputetët të cilët nuk punojnë diku tjetër, marrin pagë edhe një vit pas kësaj kohe. Në anën tjetër, Kadri Veseli është shprehur se nuk është i rrëzuar të rrëzoj qeverinë Haradinaj. Gjithashtu, zakonisht në këtë kohë, para pushimeve nuk mbahen zgjedhjet, sepse nuk mund të organizohet koalicioni që të krijohet qeveria”, tha Tahiri.

(Kosova Sot Online)