Goditjet nga SHBA dhe Britanikët – S’ka viza për të korruptuarit

  • 24 maj 2019 - 13:05
Goditjet nga SHBA dhe Britanikët – S’ka viza për të korruptuarit

Dy ambasadorët e huaj në Prishtinë, ai amerikan Philip Kosnett dhe britaniku, Ruairi O’Connell, kanë filluar që të shpeshtojnë goditjet e tyre kundër politikanëve të korruptuar të cilët vazhdojnë të punojnë nëpër institucione të Republikës së Kosovës.

Në disa deklarata të lëshuara nga ambasada amerikane, është kritikuar përzgjedhja e njerëzve të pa kualifikuar nëpër pozita udhëheqëse të cilat janë të rëndësishme, dhe iu është bërë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës të ndalojnë një praktikë të tillë.

Ndërsa sa u përket politikanëve të korruptuar është paralajmëruar se nuk do t’u jepen viza amerikane, personave të përfshirë në afera të mëdha korruptive siç janë rastet : Pronto, vizat italiane, ikja nga burgu i Dubravës, rasti Toka e Apex.

“Është praktikë e zyrtarëve konsullorë që të shqyrtojnë faktet për çdo aplikim për vizë, duke përfshirë edhe çdo informatë negative lidhur me aplikuesin, dhe që të përcaktojnë përshtatshmërinë për marrje të vizës në bazë të ligjeve të SHBA-ve. Sipas nevojës, ne vazhdimisht i peshojmë akuzat dhe dëshmitë për korrupsionin dhe krimin e organizuar gjatë vendimmarrjes për viza, në mënyrë që t’i kufizojmë ata që kontribuojnë në këto probleme nga marrja e vizave për udhëtim në Shtetet e Bashkuara.Ne do të vazhdojmë të shprehim publikisht shqetësimin tonë se askush nuk është duke u mbajtur përgjegjës, përfshirë zyrtarë të Kosovës, për korrupsionin dhe krimin e organizuar që janë qartësisht prezente në rastet Pronto, viza italiane, ikja nga burgu i Dubravës, Toka, dhe Apex, si dhe në raste të tjera të ngjashm”, thuhet në komunikatën për media”, thuhej në një komunikatë të ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

E një mal me akuza e kritika për rastet e korrupsionit, e ka drejtuar dje edhe ambasdori britanik, Ruairi O’Conell, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Kosovës në profilin e tij, në një format bisede pyetje-përgjigje.

Ai ka thënë se janë në dijeni për korrupsionin dhe zyrtarët e korruptuar, duke paralajmëruar kështu masa ndaj tyre.

“Ne jemi në dijeni për korrupsionin në nivele lokale dhe qendrore në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të marrim masa kundër zyrtarëve të korruptuar. Do të thoja që mënyra më e mirë për të bërë presion ndaj liderëve të korruptuar është dalja më e madhe në votime e atyre që kanë të drejtë vote. Ndryshimi vjen nga qytetarët, kur refuzojnë të pranojnë korrupsionin dhe abuzimin që bëhet nga zyrtarët. Në çdo rast, unë iu sigurojë juve, se do të vazhdojmë presionin ndaj zyrtarëve të korruptuar”, ka thënë O’Conell teksa i është përgjigjur një qytetari.

Ai ka kritikuar edhe sistemin e Drejtësisë në Kosovë, teksa ka folur për krijimin e Gjykatës Speciale. O’Connell thotë se arsyeja se pse i është ngritur Kosovës në gjykatë e tillë, është fakti se rastet e ndryshme duke përmenduar atë të Sami Lushtakut, nuk po gjykohen si duhet në Kosovë.

“Ka pasur dyshime që nëse dikush akuzohet për krim por ka lidhje politike, nuk ka shans që do të gjykohet siç duhet. Edhe qytetarët e Kosovës do ta pranojnë që njerëzit me lidhje politike, (p.sh. por jo vetëm rasti i fundit i Sami Lushtakut) nuk dënohen për krimet për të cilat akuzohen”, ka thënë ai.

Përveç këtyre ambasadori britanik ka drejtuar kritika edhe ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët votojnë politikanë të korruptuar.

“Qeveritarët do të reagojnë vetëm atëherë kur e ndjenjë që korrupsioni ka një çmim. Shikoni çka ndodhi në Austri, një video incizim, një skandal, vetëm një, dhe Kryeministri menjëherë reagoi, duke i ndërprerë marrëdhëniet me partnerin e koalicionit duke thirrur zgjedhje të reja. Sepse ai kishte frikë se si do reagojnë votuesit e tij. Në Kosovë, skandal pas skandali dhe votuesit zgjedhin të votojnë për partitë, për të cilat edhe ata vet e dinë se janë të korruptuara. Nëse kjo vazhdon, asgjë nuk do ndryshojë, por nëse votuesit përdorin fuqinë e tyre të vërtetë politike, atëherë ndryshimi është i mundur”, ka theksuar O’Connell,

Ndërsa kur është pyetur rreth skandalit në të cilin përmendet edhe emri i Kadri Veselit, O’Connell ka thënë se një pyetje e tillë duhet t’iu bëhët votuese të PDK’së.

(Kosova Sot Online)