Tregon Kelmendi: Krimi lidhet me komunën e Prishtinës dhe me lejet e dhëna për ndërtim!

  • 27 May 2019 - 07:26
Tregon Kelmendi: Krimi lidhet me komunën e Prishtinës dhe me lejet e dhëna për ndërtim!

Ditë më parë është publikuar nga Observatori i Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore, i cili flet edhe për Kosovën, dhe duke e përshkruar atë si pjesë të “trekëndëshit të krizës”, ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë Jugore, për shkak të zhvillimit të ulët ekonomik, paqëndrueshmërisë, kufijve porozë dhe qeverisjes së dobët, është e ekspozuar drejtpërdrejtë ndaj krimit të organizuar, ndërkaq Veriu i Kosovës përmendet në veçanti si një zonë gri dhe e përshkuar nga aktivitete të paligjshme.

Image
Muhamet Kelmendi

Si pjesë e kësaj gjendje kaotike, prof i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se "në Kosovë është edhe rasti i fajdexhinjve dhe kriminelëve, si tregues për vendin e kapur nga krimi e korrupsioni me të gjitha institucionet, duke përfshirë edhe institucionet e drejtësisë, që janë bërë peng të mafies dhe karteleve kriminele".

“Dyshimet dhe thashethëmat e dala në publik janë të mjaftueshme që të hapen hetimet dhe të zhvillohen procedurat penale ndaj të përfolurve. Mirëpo të bënë shumë përshtypje e dhëna e thënë se rastet e tashme janë të regjistruara dhe të njohura me vite nga ana e organeve kompetente, por se ato i kanë lënë në sirtar”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Kelmendi thotë se "faktet që po dalin tani, sikur janë montuar të bëhen publike qëllimisht tani nga vetë klani Pronto".

“Duket se ka të interesuar nga klani PRONTO që të dilet me të dhënat e tashme dhe drejtpërdrejtë kundër Kadri Veselit. Shkaqet mund të jenë të dyfishta, qoftë ekonomike, qoftë politike, por që të dyja duhet kërkuar në konfliktet që kanë shpërthyer në këtë grup informal të ndërtuar në Kosovë. Dalja me të dhëna të tilla ka krijuar dyshime të bazuara penale për të zhvilluar hetimet ndaj dy grupeve të veçanta. Këtu mendoj: 1. Ndaj klanit PRONTO dhe të përfolurit e bërë në të dhënat e dala në dritë dhe 2. Ndaj grupit tashmë të krijuar të kryetarit të komunës së Prishtinës, ku e tërë veprimtaria e dyshimtë lidhet me këtë komunë dhe me lejet e dhëna për ndërtim”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas prof. Kelmendit, "faktet flasin dhe prokuroria nuk mund të ikë lehtë prej të dhënave të tilla të dala në dritë tash e ca vite. Kjo për faktin se dyshimet e përfolura janë shumë rënduese dhe ikja nga hetimet e qetë në dritë drejtpërdrejtë lidhjen e sistemit të drejtësisë me atë politik".


“Përkundër kësaj, kjo tashme veç dihet. Lidhjet janë të forta dhe këtë e dokumentojnë pasuritë e patundshme që i kanë dhe deklaratat e bëra, sikurse ishte ajo e Xhavit Halitit, ku në TV deklaroi se nuk ka njeri në Kosovë që nuk i ka 2 a 3 milion! Mjafton kjo deklaratë që të hapen hetimet. Ndërsa, fakti pse nuk hapen këto, del nga fakti i kapjes së shtetit nga këta politikanë milionere të krijuar pas luftës. E këta nuk luftohen me fjalë. Kundër tyre duhet të zhvillohen hetime dhe gjykata të japi dënimet e merituara ligjore”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”. Mirëpo ajo pengesa që e pamundëson një veprim të drejtësisë në këtë aspekt, sipas Kelmendit është sistemi i kapur i sundimit të ligjit i cili duhet me pa tjetër pastruar.

“Por e them këtë sepse me këta gjyqtar dhe politikan kjo nuk bëhet. Pa një spastrim të këtyre mekanizmave, duke filluar nga policia e kapur, nga AKI e Hashim Thaçit, nga prokuroria e Thaçit dhe Mustafes, deri te gjykatat e tërë spektrit politik, kurrë nuk spastrohet shteti. Lypsen masa konkrete ligjore që të fillohet me të mbarë, e që kjo tash për tash është larg, por le të shpresojmë se me presion ndërkombëtar më në fund do të fillon ky proces i mirëpritur dhe i domosdoshëm për sistemin tonë në drejtësi”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)