Alarmon Preteni : Në sistemin e drejtësisë dominon anarkia, leku i blen të gjitha!

  • 27 May 2019 - 10:07
Alarmon Preteni : Në sistemin e drejtësisë dominon anarkia, leku i blen të gjitha!

Njohësit e fushës së të drejtës e vlerësojnë tepër skandaloze mënyrën se si  po luan gjyqësori kosovar me lëndët që presin deri në 10 vite në tavolinat e sirtarët e gjykatave në Kosovë, duke i kthyer të njëjtat nga shkalla e dytë e Apelit në të parën (Gjykate themelore), dhe të njëjtave lëndë,  që edhe përkundër faktit se janë gati 10 vite duke pritur në gjykata, ua japin numrin e ri të lëndës, pra  tani i bije që i japin  numrin e  vitit 2019, duke i trajtuar si lëndë të reja të këtij viti, dhe pastaj pritje e zgjidhjes së tyre përsëri vazhdon.

Image
Hasan Preteni

Kjo praktikë e punës, sipas  njohësit të së drejtës Hasan Preteni, përveç që është tallje  është edhe  një lloj falsifikim formal i të vërtetës me qytetarët kosovare që po ua bëjnë Gjykatat e trafikuara, gjithmonë vetëm në rastet ku pushtetarët e inkriminuar dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale kanë interesa për t’i bllokuar këto lëndë pa epilog ligjor meritor.

 “Kjo është loja me epilog tragjikomik. Për çdo ditë po bindemi se sistemi gjyqësor është totalisht jashtë binarëve, tani po del se nuk është duke u kontrolluar vetëm nga një segment por grupet e ndryshme të veshura me petkun e pushtetit po i kontrollojnë pjesë të gjyqësorit”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”

Preteni ka folur edhe për rastet se si kontrollohet  sistemi prokurorial nga piramida organizative, por kur nuk ju konvenon ky kontroll, atëherë mohohet e vërtetë,  “Para disa dite u tha se asnjë rast i krimit të rëndë nuk mundë të hapet pa miratimin e kryeprokurorit, tani me rastin e fundit  të  e fajdeve  Kryeprokurori tha se nuk kam pasur dijeni për këtë raste, edhe pse rasti i filluar në vitin 2012 hapet në vitin 2019. Personi më i përfolur në këtë rast po mbrohet në liri. Publikimet nga hetimet bëhen publike në tv. Po çka i thonë kësaj. As nuk ka sundim të ligjit, as nuk ka respektim të procedurave e as nuk ka respektim të hierarkisë”, theksoi Preteni për  “Kosova Sot Online”. E kjo gjendje sipas Pretenit i ngjan jetës në xhungël.

  “Në sistemin e drejtësisë dominon anarkia. Këtë anarki janë duke e shfrytëzuar grupet e ndryshme të interesit të veshur me petkun e politikës. dhe në forma të ndryshme po e ndikojnë dhe bllokojnë këtë sistem. Disa raste mbyllen pas kalimit të afatit ligjor, disa nuk hapen fare e disa e marrin epilogun në afat rekord. Gjithçka varet nga interesat e ngushta klanoro-politik. Politikanët po garojnë se kush po zhvatë më shumë, kush po pasurohet më shpejtë dhe kush po i shantazhin prokurorët e gjykatësit më shumë. Është anarki e përgjithshme, e ke lekun dhe i blenë të gjitha,  e ai që nuk e ka lekun, le ta lëshoj vendin se as nuk mundë të jetoj e as të shkollohet e as të shërohet”, theksoi Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )