U shuan e gjithë familja për një ditë

  • 29 May 2019 - 08:48
U shuan e gjithë familja për një ditë

Një nënë dhe 4 fëmijët e saj të vegjël u shuan në një aksident të rëndë me makinë pasditen e së hënës, në Brisbane të Australisë.

37-vjeçarja Charmaine Harris McLeod udhëtonte bashkë me dy vajzat Ally, 6-vjeçe, Matilda, 5 vjeçe dhe djemtë Wyatt, 4 vjeç dhe Zaidok, 2 vjeç, kur u përfshinë në aksidentin tragjik.

Policia thotë se makina Nissan që drejtohej nga 37-vjeçarja tentoi të parakalonte një kamion në një rrugë periferike, por u përplas me një tjetër kamion që vinte në drejtimin e kundërt.

Të dyja automjetet shpërthyen në flakë dhe drejtuesi i kamionit doli nga mjeti duke u hedhur nga dritarja. 47-vjeçari u dërgua në spital me djegie në duar dhe çarje në kokë, dëmtime që siç shkruan e përditshmja Mirror, besohet se i mori në tentativë për të ndihmuar familjen.

Charmaine dhe 3 prej fëmijëve të saj u shpallën të vdekur në vendngjarje, ndërsa një prej vajzave arriti të dilte nga mjeti i shkatërruar, por humbi jetën rrugës për në spital.

Tragjedia po përshkruhet si një ndër më të rëndat në vend nga punonjësit e shërbimit të emergjencës të Brisbane.  Ata mësohet se u traumatizuan nga skena e aksidentit, duke e përshkruar pamjen si katastrofike.

Humbja e gruas dhe 4 fëmijëve të saj të vegjël ka tronditur mbarë komunitetin ku ata jetonin. Miqtë e përshkruajtën 37-vjeçaren një nënë të mrekullueshme, bota e së cilës ishin fëmijët e saj.

Image

 

 

 

 

 

 

 

 

Image

(Kosova Sot Online)