Denoncon Aliu: Matematika e Behxhet Pacollit me Trepçën, Grandin ...
“Matematikat e Behxhet Pacollit janë, që ashtu siç e kanë marrë hisen e madhe në fushën e kompanive të sigurimit dhe të bankave, tani të marrin edhe Trepçën, Grandin e shumë asete të tjera vitale të shtetit të Kosovës, të cilat janë pikësynimi grabitqar i tij prej zhvatësi dhe jo se do të vijë ndonjë e mirë prej tij, për popullin dhe shtetin e nëpërkëmbur të Kosovës”, tha Aliu për “Kosova Sot Online “
Imponimi i Behxhet Pacollit në koalicionin e PAN-it me vetëm dy deputet dhe marrja e ministrive më me peshë për të drejtuar nga AKR-ja, subjekt politik ky me vota të kontrabanduara, sipas analistit politik Bislim Ali, dëmin më të madh po ja sjell diplomacisë kosovare, sepse interesi i vetëm i Pacollit është që përmes diplomacisë ta zhvillon biznesin e tij privat edhe në botën e tretë.
“Pa dyshim tërësisht që duke e pasur në krye të diplomacisë, ministrisë së jashtme , ky njeri po dështon diplomacinë Kosovare, për të dytën herë. Askush nuk mund ta mohon të vërtetën se si Diplomacia kosovare nën drejtimin e ministrit të jashtëm Behxhet Pacolli, e pati marr teposhtën që në mandatin paraprak, kur mbante pozitën e zëvendësministrit për çështjen e sigurimit të njohjeve dhe bënte të njëjtën punë, sorollatej poshtë e lartë dhe shtyheshin me ministrin e atëhershëm Enver Hoxhajn se kush i ka meritat për ndonjë njohje që vinte”, tha Aliu për Kosova Sot Online”.
Po të njëjtin dëm, sipas Aliut, akoma në përmasa më të mëdha po ia sjell Pacolli Kosovës, edhe në këtë mandat të dytë në politikën e jashtme.
“ Sorollatjet e tij të vazhdueshme nëpër botë, nuk po i sjellin kurrfarë rezultatesh, sigurisht pa asnjë plan strategjik dhe të qartë! Këto rrugëtime Pacolli po i shfrytëzon vetëm për interesa private, meqë për Kosovën, nuk po shohim asgjë të hajrit dhe të mirë!”, tha Bislim Aliu për "Kosova Sot Online".
Sipas Aliut, "qëllimi i Pacollit në këtë mandat qeverisës, në këtë përbërje të koalicionit është që të bëj si të bëjë dhe ta merr Trepçën nën kontroll të lidhjeve të tija biznezore ma mafien ndërkombëtare. Qëllimi i Pacollit është që ta gllabërojë kundërligjshëm Trepçën, një synim i vjetër dhe i sëmurë i tij, ndaj kësaj ndërmarrjeje shtetërore. Për këtë, matematikat e Behxhet Pacollit janë, që ashtu siç e kanë marrë hisen e madhe në fushën e kompanive të sigurimit dhe të bankave, tani të marrin edhe Trepçën, Grandin e shumë asete të tjera vitale të shtetit të Kosovës, të cilat janë pikësynimi grabitqar i tij prej zhvatësi dhe jo se do të vijë ndonjë e mirë prej tij, për popullin dhe shtetin e nëpërkëmbur të Kosovës”, tha Aliu për “Kosova Sot Online “.
(Kosova Sot Online )