IPK konfirmon arrestimin e 2 policëve tjerë në Veri

  • 30 May 2019 - 18:21
IPK konfirmon arrestimin e 2 policëve tjerë në Veri

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka konfirmuar arrestimin edhe të dy zyrtarëve policor të përfshirë në operacionin e quajtur ‘Kontrabanda’, i cili nisi para dy ditëve në pjesën Veriore të Mitrovicës.

“…..hetuesit e Departamentit të Hetimeve sot në orët e pasdites kanë arrestuar edhe dy zyrtarë policorë, njërin në Jarinje (pikë kalimin kufitar) dhe tjetrin në Mitrovicën jugore “, sqarojnë nga IPK.

Nga ky institucion deklarojnë se edhe arrestimet e sotme (zyrtarëve policorë të policisë kufitare me inicialet D.P dhe V.T) janë vazhdimësi e operacionit të emërtuar “Kontrabanda” që u zhvillua më 28 maj 2019 në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në disa lokacione në veri të vendit dhe më gjerë.

“Operacionit “Kontrabanda” i ka paraprirë një hetim disa mujor i Inspektoratit Policor të Kosovës dhe PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve në: “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale “Kontrabandë me mallra”, “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “dhënie e ryshfetit”, “tregti e ndaluar” etj”, sqarojnë nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Të arrestuarve me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore.

(Kosova Sot Online)