Vuçiq: Është rrënuar besimi me Perëndimin rreth Kosovës

  • 30 maj 2019 - 23:23
Vuçiq: Është rrënuar besimi me Perëndimin rreth Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sonte se me mënyrën se si u bë aksioni i Policisë së Kosovës në komunat veriore është kaluar kufiri të cilin Serbia mund ta durojë, por kështu është rrënuar edhe besimi dhe çfarëdo partneriteti me botën perëndimore lidhur me çështjen e Kosovës.

“Shqiptarët e Kosovës dhe ata që i sponsorizojnë kanë rrënuar besimin tonë. Nuk është problemi për një incident por për jetën dhe keqtrajtimin e 28 personave dhe për atë që ai la prapa. Është rrënuar besimi dhe çdo partneritet me botën perëndimore lidhur me çështjen e Kosovës”, ka thënë Vuçiq për televizionin Prva.

Duke folur për ditën kur Policia filloi aksionin në veri, Vuçiqi tha se së pari kishte folur me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjeneralin Milan Mojsiloviq dhe menjëherë e kishte urdhëruar për vendosje të gjendjes së gatishmërisë së plotë luftarake të ushtrisë.

Duke komentuar pohimet e përfaqësuesit të KFOR-it se Beogradi zyrtar ka qenë i informuar për aksionin e Policisë së Kosovës, Vuçiqi ka thënë se kjo është e vërtet porse, ka thënë ai, informatën se kishte marrë nga KFOR-i.

“Na u tha se i dinim të gjitha. Është e vërtetë, e kemi ditur dhe e keni njoftuar opinionin. E kur pyeta se kë e kishte njoftuar, m’u tha se ka mjaftuar që të lexoheshin gazetat … E atë mëngjes kishte probleme në komunikim . Kur i ftoi Mojsiloviq, ata të KFOR-it nuk u paraqiten. U paraqiten vetëm kur përfundoi aksioni”, tha Vuçiq.

(Kosova Sot Online)