Thaçi zbrapset nga Amerika, ja si i ndryshon përsëri fjalët brenda tre dite

  • 02 qershor 2019 - 16:10
Thaçi zbrapset nga Amerika, ja si i ndryshon përsëri fjalët brenda tre dite

Thirrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, së Kosova duhet të implementojë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, përfshirë këtu edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, e kanë zmbrapsur presidentin Hashim Thaçi.

Derisa të enjten e javës së kaluar në një debat televiziv, kishte deklaruar prerë, se nuk do të lejojë themelimin e kurrfarë lloji të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, një ditë pas reagimit të Ambasadës së SHBA-ve në Beograd, Thaçi ka zbutur qëndrim.

Gjatë një forumi në Mal të Zi, në të cilin ishte pjesëmarrës edhe presidenti Millo Gjukaoviq, Thaçi, ka thënë se Kosova do të vazhdojë implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në vitin 2013. 

Pra do të pranojë themelimin e Asociacionit të Komunave më Shumicë serbe, nëse një gjë e tillë bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës.

“Me rëndësi është , përsëri e theksoj, të vazhdohet me implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në vitin 2013. Po që janë të gjitha në përputhshmëri me Kushtetutën dhe Ligjet e Kosovës, dhe në asnjë rrethanë të mos pretendohet me kriju ndonjë ‘Republika Serbe’, në Kosovë, sepse ajo e defunksionalizon shtetin e Kosovës”, ka thënë Thaçi dje në Podgoricë.

Por përpara se ta jepte këtë deklaratë në Mal të Zi dhe derisa nuk kishte pasur një qëndrim të SHBA-së lidhur me këtë çështje, Thaçi kishte qenë shumë i rreptë në deklarime.

Ai thoshte që në shkëmbim të themelimit të Aosciaiconit ishte premtuar njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, dhe meqenëse se një gjë e tillë nuk kishte ndodhur, atëherë puna e themelimit të Asociacionit ‘është e vdekur’.

“Në asnjë rrethanë, nuk do të lejojmë as Asociacion as ekzekutiv, as kurrfarë ..zero. Ka qenë kohë ndryshe kur ka ndodhë, është premtuar njohja, s’ka ndodhur, le ta harrojnë, ajo punë është e vdekur”, ka thënë Thaçi të enjten në Tv Dukagjin më 30 maj.

E menjëherë pas kësaj deklarate kishte ardhur një reagim nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, duke thënë se duhet implementuar të gjitha obligimet e marra nga dialogu i Brukselit, përfshirë edhe krijimin e ASK-së.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin implementimin e plotë të gjithë obligimeve që janë marrë në dialogun e Brukselit. Kjo përfshinë edhe obligimet që kanë të bëjnë me krijimin e Asociacionit të Komunave me shumice serbe”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Beograd të lëshuar me 31 maj. 

Hashim Thaçi në vitin 2013, në cilësinë e kryeministrit, bashkë me Ivica Daçiqin, kishte nënshkruar në Bruksel marrëveshjen bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që i hapte rrugë themelimit të Asociacionit të Komunave më Shumicë serbe në Kosovë.

Përveç SHBA-së, implementimin e marrëveshjeve dhe obligimeve të marra nga Brukseli, e kërkon edhe Gjermania e kancelares Angela Merkel.

Me shumë gjasë një gjë e tillë do të diskutohet në Samitin e Parisit. Një gjë të tillë e kishte paralajmëruar deputeti gjerman i CDU-së, Johann Ëadephul, pas Samitit të Berlinit, duke thënë se tashmë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë plotësisht duket diskutuar aspekte teknike siç është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, duke treguar se ideja për korrigjim të kufijve kishte ‘vdekur’ në Berlin.

“Këto negociata kanë qenë krejtësisht të vdekura për muaj të tërë si pasojë e diskutimeve të panevojshme për shkëmbime territoresh. Por tani, megjithatë, tema konkrete duhet të diskutohen sërish – siç janë Asociacioni i komunave serbe, furnizimi me energji elektrike i Kosovës, mbrojtja e monumenteve kulturore, njohja e diplomave, të drejtat e personave të zhvendosur, por edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare – përfshirë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së”, kishte thënë ai pas përfundimit të Samitit të Berlinit.

(Kosova Sot Online)