Zbulohet synimi i Shpend Ahmetit: Ja si po e shantazhon...

  • 03 June 2019 - 11:16
Zbulohet synimi i Shpend Ahmetit: Ja si po e shantazhon...

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pas takimit me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, është takuar edhe me kreun e PSD-së, Shpend Ahmetin, ku temë kryesorë ka qenë, siç ka thënë Mustafa, mocioni për rrëzimin e Qeverisë Haradinajt.

Por, analistët politikë e quajnë si jo serioz takimin Mustafa-Ahmeti, kinse për një angazhim të përbashkët për mocionin në përgatitje për rrëzimin e këtij koalicioni qeverisës.

Kritika të njëjta për këtë takim ka pasur edhe në Lëvizjen Vetëvendosje.

Sipas zyrtarëve të VV-së, qëllimi i Ahmetit është që përmes takimit me Isa Mustafën, t’i bëjnë presion Kadri Veselit që të kalojë ligjin për financimin e partive, që mundëson shndërrimin e parlamentit në pazar, e pastaj, kur t’ua japë Kadri Veseli mbështetjen, nga PSD do i thonë Mustafës se nuk i japin dot votat për mocion, sepse po i jep Lista Serbe.

Sipas VV-së, kjo është strategji tanimë e lexueshme e njëjtë si kjo e spektakleve të qeverisë që synon të mbulojë skandalet e hajnive dhe asgjë tjetër.

Dyshime të njëjta kanë edhe analistët politikë. 

Image
Florim Zeqa

Analisti politik, Florim Zeqa duke parë këto negociata dhe përpjekje për koordinim mes të LDK-së dhe PSD-së, ka thënë për “Kosova Sot Online” se është mëse e vërtetë se takimi Mustafa-Ahmeti është vetëm pjesë e pazarit politik për interesa partiake. 

Madje, Zeqa nuk e she si shumë serioz as takimin Kurti-Mustafa, pasi që deri para pak kohësh ishin armiqtë më të mëdhenj.

“Në fakt, takimet e Albin Kurtit e Shpend Ahmetit me Isa Mustafën shpërfaqin dyfytyrësinë dhe personalitetin e dyfishtë të këtyre tre liderëve partiak, të cilët nuk e kanë aspak hallin e shtetit e të qytetarëve, por arritjen deri te gjahu, gjegjësisht zhvatjen e parave të buxhetit të shtetit të destinuara për partitë politike në Kuvendin e Kosovës, standard ky i padrejtë në raport me subjektet jashtë skenës parlamentare”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Zeqa, rrëshqitja nga vijat programore dhe abuzimi me elektoratin janë rezultat i mos profilizimit të partive politike prandaj ndodhin këto takime të interesave grupore e personale.

“Është e dhimbshme të shohësh partinë, LDK-në, dikur liderë dhe prijëse e të gjitha proceseve në vend, të shkoje pas nismave të partive të vogla e të pa profilizuara, të pa përcaktuara e të pa formësuar si subjekte serioze në skenën politike kosovare”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Për më keq se kaq, sipas Florim Zeqës, subjektet aktuale opozitare, me heshtjen dhe indiferencën ndaj zhvillimeve të rrezikshme për vendin, janë bërë pjesëmarrëse indirekte në rrënimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)