
Trump thotë se e ka refuzuar kërkesën e Corbynit për takim
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se e ka refuzuar kërkesën e liderit të opozitës britanike, Jeremy Corbyn, për t’u takuar me të. Ai e dha këtë deklaratë pasi kryetari i Partisë Laburiste të Britanisë u bashkua në një protestë që u organizua për ta kundërshtuar vizitën e presidentit amerikan në vendin ishullor.
Trump tha se nuk e njeh shumë mirë politikanin opozitar të Britanisë, por se atij i duket disi si forcë negative. Duke folur në një konferëncë të përbashkët me gazetarë me kryeministren britanike, Theresa May, Trump tha: “Ai ka dashur të më takojë mua sot ose nesër dhe unë vendosa që të mos e bëj këtë”.
Presidenti amerikan shtoi: “Mua vërtet nuk më pëlqejnë kritikat aq sa më pëlqejnë dhe aq sa i respektoj njerëzit që mund t’i çojnë punët deri në fund”.
Partia Laburiste njoftoi të martën se Corbyn do të marrë pjesë në një protestë kundër presidentit amerikan, duke thënë se kjo është një mundësi për t’u solidarizuar me ata që Trumpi i ka sulmuar në Amerikë, në Britani dhe në tërë botën.
Një zëdhënës i kësaj partie tha: “Jeremy Corbyn propozoi një takim me Donald Trumpin gjatë vizitës së tij në vendin tonë. Jeremy është i gatshëm të angazhohet me presidentin për disa çështje, përfshirë emergjencën për klimën, kërcënimet ndaj paqes dhe krizën e refugjatëve”, shkruan “The Guardian”.
(Kosova Sot Online)