DW: Merkel do t’i kërkojë Haradinajt heqjen e taksës 100%, takimi do të zgjasë rreth një orë

  • 04 June 2019 - 18:43
DW: Merkel do t’i kërkojë Haradinajt heqjen e taksës 100%, takimi do të zgjasë rreth një orë

Pas samitit të Berlinit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të takohen edhe një herë gjatë kësaj jave, ku temë qendrore e këtij takimi pritet të jetë dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë.

Për këtë, gazetari i DW-së, Bahri Cani ka thënë se sipas informacioneve takimi Merkel- Haradinaj do të zgjasë rreth një orë ku temë diskutimi, përveç dialogut, do të jetë edhe taksa 100% si dhe përgatitjet për Samitin e Parisit i cili do të mbahet më 1 korrik të këtij viti.

“Sipas informacioneve ky takim do të zgjasë një orë përafërsisht dhe temë kryesore do të jetë dialogu Kosovë- Serbi dhe raportet Kosovë- Gjermani si dhe përgatitjet për Samitin e Parisit që do të mbahet me 1 korrik”, tha ai.

“Pamë edhe një delegacion francezo- gjerman në vizitë në Prishtinë pasi ata nuk duan që çdo gjë t’ia lënë rastit por të përgatiten më mirë për këtë konferencë. Merkel është angazhuar edhe vet për zgjidhjen e problemeve në Ballkan. Merkel do të kërkojë shpjegime shtesë për mundësinë e heqjes së taksave ndaj Serbisë. Takimi do të mbahet në dyer të mbyllura dhe nuk është paralajmëruar ndonjë konferencë për shtyp”, përfundoi Cani.

(Kosova Sot Online)