Zv.Ministri i dënuar për keqpërdorim tenton të bëhet burrë i mirë: Vet dhashë dorëheqje

  • 05 June 2019 - 11:59
Zv.Ministri i dënuar për keqpërdorim tenton të bëhet burrë i mirë: Vet dhashë dorëheqje

Gjatë ditës së sotme kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, njoftoi se e ka liruar nga detyra ish-drejtorin i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, së fundmi zëvendësministër i Administratës Publike, Bujar Nerjovaj i cili është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, pasi është shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Por vet Nerjovaj, po deklaron se ia ofroi dorëheqjen Haradinajt për çështje morale.

“Edhe pse vendimi i gjykatës nuk e ndalonte ushtrimin e detyrës së tanishme nga ana ime, ofrimi i dorëheqjes sime është i karakterit moral dhe për të treguar respektin tim të thellë ndaj Kryeminstrit të Kosovës z. Ramush Haradinaj dhe Qeverisë së Kosovës, organeve të drejtësisë së vendit tim dhe proceseve në të cilat ndodhet vendi im dhe si një praktikë e mirë për t`u përballur në vazhdim i pa ndikuar në procesin e mëtutjeshëm për kërkimin e pafajësinë time”, ka shkruar zëvendës ministri i liruar nga detyra.

Ai ka sqaruar se Gjykata Themelore në Prizren me datë 03.06.2019 mori një aktvendim dënues rreth cështjes së tij.

“Unë sot mora një vendim personal dhe kërkova nga Kryeministri i Kosovës z. Ramush Haradinaj që të më liroj nga posti i zëvendës ministrit të Administratës Publike të Kosovës”, ka sqaruar Nerjovaj.

(Kosova Sot Online)