Kërkohet VETTING-u në Kosovë nga SHBA dhe BE

  • 09 June 2019 - 13:29
Kërkohet VETTING-u në Kosovë nga SHBA dhe BE

Ambasadori i Britanisë në Kosovë, Ruairi O’Connell edhe njëherë ka kritikuar institucionet kosovare për mungesën e luftimit të krimit dhe korrupsionit.

E sipas ekspertit të fushës së të drejtës, Skender Kapitit, kjo tregon se krimi i organizuar dhe korrupsioni janë dy fenomenet më negative në Kosovë.

“Këtë e dinë qytetarët e Kosovës të cilët e pësojnë dhe ndeshen me to për çdo ditë. Ky korrupsion dhe krim i organizuar janë dy faktorët kryesor të cilat edhe BE ua ka lënë detyrë shtëpie politikës dhe pushtetit për t'i përmbushur në mënyrë që të bëhet liberalizimi i vizave dhe integrimi i mëtutjeshëm i Kosovës në BE”, theksoi Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Image
Skender Kapiti

Pra, sipas Kapitit, krimi i organizuar së pari është problem i qytetarëve të Kosovës, së dyti është shqetësim edhe i miqve dhe i aleatëve më të mëdhenj të SHBA- ve, i Britanisë e Gjermanisë, është problem dhe shqetësim edhe i atyre shteteve kryesore prej të cilave edhe erdhi liria e pavarësia e Kosovës.

Kapiti beson se duke vazhduar reagimet e tilla, do të vijë edhe imponimi i VETTING-ut sepse ndryshe kjo politikë nuk ka vullnet veprimi. 

“Pra atëherë lind pyetja se ku e gjejnë guximin dhe mbështetjen politika , pushteti dhe drejtësia kosovare që prej krimit, korrupsionit të tyre Kosova të mbetet peng i moszhvillimit, mos progresit, mos sundimit të ligjit dhe të mos ndërtimit të shtetit ligjor?! Ky mos vullnet i politikës dhe drejtësisë për mos luftimin e korrupsionit dhe të krimit te organizuar nga ana e tyre buron prej faktit se ata janë vetë autorët dhe bartësit e krimit, korrupsionit dhe të vjedhjes së parasë publike, pasi ata nuk i ndëshkon ligji dhe nuk japin llogari para askujt. Prandaj detyrimisht do të vije pashmangshëm koha kur SHBA dhe BE do t'ia imponojnë politikës kosovare që ajo të miratoje VETTING-un ashtu sikurse edhe u veprua në Shqipëri”, tha Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)