“Lufta” e Haradinajt dhe Thaçit, flet profesori i njohur: Ja pse po ndodhë kjo...

  • 10 June 2019 - 13:08
“Lufta” e Haradinajt dhe Thaçit, flet profesori i njohur: Ja pse po ndodhë kjo...

Profesori i njohur universitar, Muhamet Kelmendi, duke analizuar përplasjet e fundit në distancë në mes të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt dhe presidentit, Hashim Thaçit lidhur me vazhdimin e bisedimeve me Serbinë dhe opsioneve që po përmenden si formula të mundshme të arritjes së një marrëveshje, thotë se të gjitha këto zhvillime po vijnë për pasojë të mungesës së akordimit në këtë agjendë në baza kombëtare, Kosovë Shqipëri, ngase është kryeministri shqiptar, Edi Rama ai që po luan rol negativ në këtë agjendë.

Image
Muhamet Kelmendi

“Ka kohë që në Kosovë dhe në Shqipëri janë përballë dy rrugë dhe dy mënyra të zgjidhjes se raporteve me shtetin kriminal serb. Në njërën anë, është pikëpamja e shkëmbimit të territorit apo të ndërrimit të saj, kryesisht duke shënjestruar shtetin e Kosovës, opsion që përfaqësohet nga z. Thaçi dhe në anën tjetër,është pikëpamja e ndërtimit dhe të arritjes së marrëveshjes mbi bazën e shteteve të barabarta, pa ndërrime territoriale, sikundër që mendon Z. Haradinaj. Këto dy koncepte janë në luftë të ashpër në mes veti dhe natyrisht se ato nuk po përafrohen dhe kryesisht njëra e përjashton tërësisht tjetrën”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kelmendit, ësht për të theksuar se është pikërisht Thaçi, ai i cli akoma qëndron dhe e sheh si zgjidhje edhe opsionin e ndryshimit të kufijve. 

Më tej, ai thotë se zgjidhja fatlume dhe e vetme historikisht e qëndrueshme do të ishte formula e bashkimit të trojeve shqiptare në një tërësi, por as kjo nuk mundë të bëhet sipas formulës që po e ofron tani Hashim Thaçi. 

“Mënyra e paraqitur është qesharake, jo reale dhe tepër abstrakte. Dhe nëse dikush pyet pse proklamohet kjo kështu? Përgjigja ime do të ishte se kjo po bëhet në këtë mënyrë kryesisht kundër ideologjisë së shtetit dhe ka për qëllim realizimin e ndarjes së Kosovës. Këtë e ka kuptuar skena politike dhe qëndrimi i pa tundur në mbrojte të plotë të shtetit e sovranitetit dhe kundër planeve ndarëse”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)