E zbulon analisti nga SHBA: Ja pse kosovarët po lëshojnë vendin, bandat kanë...

  • 11 June 2019 - 07:47
E zbulon analisti nga SHBA: Ja pse kosovarët po lëshojnë vendin, bandat kanë...

Njohës të zhvillimeve politike në vend japin alarmin për Kosovën, pasi sipas tyre motivi për të emigruar jashtë shtetit po rritet ditë ditës dhe ka rrezik të merr karakter të eksodit masiv, që nga momenti i liberalizimit të vizave.

Sipas analistit politik, Ramiz Bojaj, gjendja ka ardhur duke u shndërruar në situatë tepër alarmante ngase janë oligarkët dhe mafiozët tanë, të cilët tash e 20 vjet janë të kyçur në pushtet dhe kanë pamundësuar jetesën e qytetarëve në Kosovë duke uzurpuar dhe privatizuar sektorët më vital të shtetit.

Image

“Klasat e korruptuara në pushtet, në bashkëpunim me vasalët tyre në korporata të fuqishme ekonomike, kanë monopolizuar e shkatërruar konkurrencën e lirë, duke u shërbyer vetëm të fortëve, sidomos në vjelje tenderësh dhe shpëlarje parash. Bandat politike e para politike grabitën tërë pasurinë e këtij vendi, shkatërruan shtyllat kryesore të ekonomisë e drejtësisë, pastaj fuqizuan bandat lojale ndaj pushtetarëve, grupe mafioze këto që i sollën Kosovës, miell për kafshë, ushqime të skaduara, mish të krimbur e çdo të zezë tjetër”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

 

 

 

Në këtë kontekst, analisti Bojaj thekson se duke monopolizuar e grabitur gjithçka, këto banda u pasuruan brenda nate, ndërsa popullin e varfëruan skajshmërisht duke e përjashtuar nga shteti për të cilin sakrifikuan breza me radhë.

“Të rinjtë janë mashtruar e tradhtuar edhe nga monopoli për të votuar hajnat partiakë e politikë. Në krye të partive politike erdhën njerëz të cilët qëllim të vetëm kishin pasurimin e tyre dhe klientelave lojale, por jo edhe forcimin e segmenteve shtetërorë për të gjithë qytetarët”tha analisti Ramiz Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas Bojajt, banditët politikë bashkëjetuan rehat me njëri-tjetrin, proklamuan programe e vizione zhvillimore evropiane, por më në fund u bashkuan në një pikë, zhvatje dhe duke rrënuar shpresat e qytetarëve për një të ardhme më të mirë.

“Të zhgënjyer e më shpresa të vrara, qytetarët u larguan e po largohen më të madhe nga shteti i Kosovës për të gjetur një jetë më të mirë ose një vend pune, diku në shtetet e perëndimit. Këtë mortajë të spastrimit etnik po e ndjekin me gjakftohtësi klikat pushtetare, sepse këtyre u mjafton qe në Kosovë të mbesin grupet militante të lidhura me partitë politike kriminale qe u garantojnë rehati e qetësi në pushtetin e kriminalizuar”, ka përfunduar analisti politik, Ramiz Bojaj për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)