Skandali me milionat, kërkohet hetimi i politikanëve kosovarë

  • 11 June 2019 - 11:58
Skandali me milionat, kërkohet hetimi i politikanëve kosovarë

Zbardhja e skandalit të fundit të Shpend Ahmetit, i cili e fshehu banesën e cila është në emër të tij në Shëngjin të Shqipërisë, sipas analistëve politikë, ngjall akoma më shumë dyshimin për përfshirjen ne afera korruptive të kreut të Komunës së Prishtinës.

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit kërkojnë që deklarimi i pasurisë së zyrtarëve ta lartë të shtetit të hetohet nga a-zh.

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi thotë se të gjitha deklarimet e zyrtarëve shtetërorë dalin të rrejshme.

Image
Muhamet Kelmendi

“Jo vetëm pasuria e Shpend Ahmetit, por e çdo zyrtari, kuptohet se duhet të hetohet. Nga deklarimi i pasurisë ka shumë të pavërteta. Ato konsistojnë në faktin e uljes rapide të vlerave të patundshmërisë dhe në mos deklarim të saktë apo të përafërt të vlerës së pasurisë’, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot Online”. 

“Tani veç dihet se çfarë vlerash kanë patundshmëritë në Prishtinë dhe rreth saj. Kudo kemi mashtrime. Shtëpitë milionëshe paraqiten si disa qindra e mijëra euro. Veç kësaj sikundër dihet, është shumë vështirë të konstatohet pasuria jashtë vendit. Atje ka politikan, gjyqtar, prokuror e avokat, ka figura të ndryshme që kanë pasuri milionëshe dhe shteti heshtë”, theksoi Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

Mirëpo, ai shton se Kosova vazhdon të jetë edhe më e fokusuar në mbikëqyrjen kritike ndërkombëtare sa i takon mungesës së luftës kundër krimit e korrupsionit.

Sipas tij, është koha që drejtësia të veprojë edhe në këtë fushë të përshtatshme për krim e korrupsion, që të zbardhet e vërteta për mënyrën se si njerëzit e pushtetit kanë ardhur deri te pasuritë e tyre milionëshe.

“Organet duhet të merren me këto fakte dhe në bazë të saj të veprojnë juridikisht kundër çdo subjekti. Por kjo tash për tash, nga ana jonë mundë të jetë vetëm një kërkesë dhe një dëshirë. Ajo tash për tash nuk realizohet. Jo pse nuk dihen faktet, por pse organet nuk veprojnë”, tha Kelmendi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)