Avokati i njohur ‘shpërthen’ ndaj Thaçit, Haradinajt dhe Veselit

  • 13 June 2019 - 17:17
Avokati i njohur ‘shpërthen’ ndaj Thaçit, Haradinajt dhe Veselit

Avokati i njohur në Kosovë, Tomë Gashi e ka parë si pozitive ftesën që i bëri kryeministri, Ramush Haradinaj Serbisë për pajtim pikërisht në 20 vjetorin e ndërhyrjes së forcave të NATO-së. Por, Gashi thotë se krahas këtij pajtimi Kosova duhet t’i kërkojë Serbisë edhe kompensimin edhe të dëmeve të luftës.

Më tej, Gashi i ka kritikuar ashpër autoritetet e Kosovës për organizimin skandaloz të manifestimit nga ana protokollare.

“Haradinaj në prezencë të presidentit Clinton kërkoj njohje të Kosovës nga Serbia në kufijtë ekzistues të Kosovës dhe me këtë deklaroj të kundërtën e asaj që thotë Thaçi si president. Ishte një kërkesë 100% e përshtatshme në ditën e djeshme sepse ishte ditë festive dhe kjo u tha përballë atyre që na e sollën efektivisht çlirimin nga Serbia sepse pa Amerikën dhe pa NATO-n ne kurrë nuk do të çliroheshim vet me forcat tona’, tha avokati Tomë Gashi për “Kosova Sot Online”.

Image
Tomë Gashi

Ai shprehet se tani Kosova duhet të bëjë politikë më të koordinuar dhe në asnjë mënyrë të mos i nënshtrohet Serbisë në këto procese të vështira.

“Dje ka qen dje dhe sot është sot, e sot duhet të flitet ndryshe me serbin dhe t’i kërkohet gjithçka që shtetet fitimtare në lufte ju kërkojnë shteteve agresore”, tha avokat Gashi për Kosova Sot Online”.

Mirëpo, Gashi ka vërejtje serioze sa i takon funksionimit të protokollit të shtetit në këtë manifestim, e që sipas tij është përgjegjësi e të gjithë krerëve të shtetit pse në ceremoninë festive nuk iu dha fjala askujt nga delegacioni shtetëror i Shqipërisë.

“As Haradinaj, as Thaçi dhe as Veseli nuk ju dhanë fjalën burrështetasve të Shqipërisë, presidenti Meta dhe kryeministrit Rama. Unë mendoj që është dashtë të ju jepet fjala përfaqësuesve të shtetit të Shqipërisë sepse duhet ta dimë të gjithë ne në Kosovë se pa ndihmën e pa kursyer vëllazërore të Shqipërisë asnjë plumb nuk kishte pasur shans të shkrepet kundër Serbisë dhe asnjë pushkë nuk kishte me kërcit pa ndihmën e Shqipërisë”, deklaroi Gashi për “Kosova Sot Online”.

Pa Shqipërinë, sipas Tomë Gashit, nuk do të ishte e mundur të bëhej lufta e UÇK-së dhe pa këtë luftë nuk do të vinte NATO ta çlirojë Kosovën. 

“Sepse dihet që Shqipëria ndër të tjera i dha komplet armatimin UÇK-së dhe po nga Shqipëria erdhën thuaja së të gjithë luftëtaret e UÇK-së të cilët erdhën nga e gjithë Evropa dhe nga SHBA-të e që u zbarkuan në Shqipëri. Në fund të fundit ishte Shqipëria që dha të gjithë territorin dhe të gjithë ushtrinë NATO-s, kurse në një rast ushtria e Shqipërisë nga Kukësi ishte nisur me tanke në drejtim të Kosovës derisa e gjithë popullata e zhvendosur atje është mbajtur e ushqyer nga bashkëkombësit përtej kufirit deri në fundin e luftës kundër Serbisë. Ky manifestim tregoj se çfarë udhëheqësish të shtetit kemi sepse përfundimisht duhet ta dinë që pa Shqipëri nuk do të kishte liri”, përfundoi Gashi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)