Milionat e politikanëve, flet analisti: Kjo është loja e re që po luhet

  • 15 June 2019 - 08:06
Milionat e politikanëve, flet analisti: Kjo është loja e re që po luhet

Agjencioni Kundër Korrupsionit në Kosovë ka vendosur që pas publikimit të deklarimeve të pasurisë së zyrtarëve të shtetit, ta bëjë edhe një hetim të plotë të pasurisë së 974 zyrtarëve publikë.

Mirëpo analistët politikë, nuk presin se do të ndodhë ndonjë mrekulli dhe se do të zbardhet e vërteta e pasurimit të kundërligjshëm të zyrtarëve të shtetit e të politikës për këto 20 vite të pas luftës.

Sipas tyre, kjo është një lojë e luajtur në vazhdimësi nga të gjitha mandatet e kaluara qeverisëse dhe AKK-ja. 

“Të gjitha Qeveritë e pas luftës të Kosovës u udhëhoqën kryesisht nga bandat kriminale mafioze të shtetit të Kosovës. Është vetëm një lojë kjo që po thuhet se do të hetohen në mënyrë plotësuese dhe kontrollohen plotësisht edhe 974 zyrtarë për të verifikuar pasurinë e tyre. Unë mendoj që nuk janë vetëm 947 por duhet të jetë trefishi apo katërfishi i tyre që do të duhej kontrolluar dhe shumicës së tyre edhe konfiskuar pasuria e fituar me krim e korrupsion”, tha analisti politik, Ragip Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Image
Ragip Guraziu

Sipas tij, kjo lojë që luhet tani me sistemin Loto, është vetëm një mbulesë për politikën e korruptuar ndër vite që asnjëherë nuk ka menduar për qytetarin.

“Po e them këtë kur e kemi parasysh se të gjitha qeveritë e pas lufte,asnjëra nuk ka dëshmuar se kanë punuar për shtetin,por për xhepin. Tani të gjithë këta të apostrofuarit,që thuhet se do të jenë 974, e që sipas meje ky numër mund të jetë, dyfishuar ,trefishuar, edhe më tepër, nuk paraqesin asgjë, do të jetë vetëm një rilexim i atyre deklaratave që i kanë dhënë në formularët e paraqitur në AKK dhe asgjë më tepër, sepse edhe në të kaluarën kemi pasur këso lloj verifikimesh por asnjëherë nuk ka ndodhur as edhe një rast i vetëm për të zbardhur dhe dërguar në prokurori mashtruesit dhe ata që kanë fshehur pasurinë e tyre milionëshe të fituar kundërligjshëm. Nuk besojë edhe tani që kjo punë do kryhet me seriozitet, sepse nuk thuhet kot së koti që hajni hajnin nuk e zbulon”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)