Forcat saudite sulmojnë rebelët në Jemen

  • 15 June 2019 - 11:15
Forcat saudite sulmojnë rebelët në Jemen

Koalicioni ushtarak i udhëhequr nga forcat e Arabisë Saudite ka kryer sulme ajrore kundër forcave Houthi, të cilat mbështeten nga Irani. Televizioni shtetëror saudit njoftoi se sulmet u kryen në kryeqytetin e Jemenit, Sana. Luftimet e fundit kanë shkaktuar rritje të tensioneve në rajon.

Sulmet ajrore u përdoren për t’i goditur sistemet e mbrojtjes ajrore dhe pozicionet tjera ushtarake në qytetin e kontrolluar nga rebelët dhe ndodhën disa ditë pas sulmit me raketë që ndodhi në një aeroport të Arabisë Saudite.

Koalicioni i myslimanëve sunitë, të cilët mbështeten nga shtetet perëndimore, ka luftuar me rebelët e grupit Houthi që nga viti 2015 në përpjekje për ta kthyer në pushtet qeverinë e njohur nga komuniteti ndërkombëtar, të cilët u dëbuan nga kryeqyteti nga forcat rebele.

Rebelët Houthi i kanë shpeshtuar sulmet me dronë dhe raketa në qytete të ndryshme të Arabisë Saudite muajve të fundit në kohën kur janë rritur tensionet mes Iranit dhe shteteve të Gjirit Persik e Shteteve të Bashkuara.

Konflikti i Jemenit më tepër vlerësohet si luftë mes Arabisë Saudite dhe Iranit. Sidoqoftë, rebelët kanë mohuar se marrin urdhra nga Tehrani dhe se i kanë marrë armët për të luftuar kundër korrupsionit.

Deri tash, në luftën civile të Jemenit janë vrarë më shumë se dhjetë mijë njerëz, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online )