Çekia në përkrahje të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL

  • 15 June 2019 - 15:59
Çekia në përkrahje të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL

Çekia i ka dhënë përkrahje Kosovës në procesin e anëtarësimit në INTERPOL dhe njëkohësisht në rrugën e saj të integrimeve evropiane

Çekia dhe Kosova kanë nënshkruar një Marrëveshje të Bashkëpunimit Ekonomik, të parën që prej shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Marrëveshja që u nënshkrua prej dy zëvendës kryeministrave, Behgjet Pacolli e Karel Havlicek, hap mundësitë e të dyja vendeve për identifikimin e fushave për bashkëpunim në ekonomi dhe rrit nivelin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ekipet e të dyja vendeve pritet që të nisin punën për zbatimin e marrëveshjes së arritur dhe për përcaktimin e plotë të hapave të mëtejmë.

Marrëveshja për Bashkëpunim Ekonomik me Çekinë merr rëndësinë posaçërisht për faktin e marrëdhënieve shumë specifike që Kosova ka me këtë vend, pavarësisht vendosjes së marrëdhënieve diplomatike prej shumë vitesh. Republika e Çekisë është një prej vendeve anëtare të BE-së me zhvillim të hovshëm ekonomik dhe deri sot, pavarësisht specifikave me Kosovën, e ka mbështetur atë në shumë fusha.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm të Kosovës në Pragë. Behgjet Pacolli takoi një numër udhëheqësish shtetëror në vizitën zyrtare përfshirë ministrin e jashtëm të Çekisë, Tomas Petricek por edhe Kryetari i Parlamentit çek, Radek Vondracek. Vizita ishte e para e këitj lloji që prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve.

Ministri i Jashtëm i Çekisë, Tomas Petricek në një deklaratë të lëshuar në gjuhën çeke pas takimit me ministrin Pacolli ka thënë se shkëmbimi tregtar ndërmjet Kosovës dhe Çekisë është rritur vitin e kaluar deri në 50 për qind në krahasim me një vit më parë.

“Gjurmët çeke po bëhen gjithnjë e më të dukshme në Kosovë. Njerëzit në Prishtinë e dijnë se autobusët e rinj ngjyrë portokalli për transport publik janë prodhuar në Republikën e Çekisë. Gjithashtu kemi eksportuar me sukses makinat për Policinë e Kosovës”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme Çeke duke cituar ministrin Petricek.

(Kosova Sot Online)