E zbulon analisti: Kjo është e vërteta e dekorimit të Fatos Klosit nga Hashim Thaçi

  • 15 June 2019 - 18:34
 E zbulon analisti: Kjo është e vërteta e dekorimit të Fatos Klosit nga Hashim Thaçi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dekoruar me medalje presidenciale ish kreun e shërbimit shqiptar, Fatos Klosin, i cili është akuzuar direkt nga Sali Berisha për vrasjen e ish Ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqit, kurse kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dekoroi deputetin, Labit Tahirin, i cili ishte shprehur i gatshëm që ta jepë votën për rrëzimin e qeverisë Haradinaj.

Image
Faik Krasniqi

Dekorimet e Thaçit dhe Haradinajt kanë ngjallë kritika të ashpra në Kosovë. Sipas analistit politik, tanimë dekoratat nga shteti e kanë humbur vlerën dhe kuptimin për çka edhe janë caktuar që të ndahen.

“Dekorimet nga ana e Presidentit dhe kryeministrit e kanë humbur edhe vlerën, sepse po dekorohet lloj-lloj njeriu. Çështjen e dekoratave e kanë kthyer në një cirk. Në botën demokratike dekorohen njerëz që kanë dhënë për vendin me profesionin e tyre. Kurse tek ne dekorohen njerëz jo velëm që nuk kanë dhënë asgjë për këtë vend, por janë fajtor për shkatërrimin e vendit”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Madje ai thotë se është shokuar kur ka hyrë dhe e ka lexuar të tërën listën e të dekoruarave të deritanishëm nga ana e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Kur e pashë listën e të dekoruarve nga Shqipëria nga ana e presidentit Thaçi u çudita tej mase. Shumica e atyre njerëzve s'kanë bërë kurrë asnjë gjë për pavarësinë e Kosovës. Nuk çuditem fare me dekorimin e Fatos Klosit. Nëse Fatos Klosi është i përfshirë në vrasjen e Ahmet Krasniqi si shef i SHIK-ut, atëherë është urdhëruar nga ky njeri që e ka dekoruar”, tha Faik Krasniqi për Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)